Partia Republikane në SHBA, gati për hapje të Konventës Kombëtare – ALSAT-M


Konventa Kombëtare Republikane në Shtetet e Bashkuara fillon më 24 gusht, dhe do të zgjasë për katër ditë, për të kulmuar me pranimin zyrtarisht nga ana e presidentit, Donald Trump, nominimit si kandidat i partisë për zgjedhjet e nëntorit.

Presidenti Trump do të garojë në zgjedhjet presidenciale me kandidatin demokrat, Joe Biden.

“Unë mendoj se do të shohim diçka që do të jetë shumë pozitive, kjo është ajo që unë do të doja të ishte”, tha presidenti Trump për Fox News, më 23 gusht.

Republikanët pritet të sulmojnë demokratët, të cilët mbajtën një konventë virtuale javën e kaluar duke kritikuar Trump si një drejtues të dështuar. Demokratët u përpoqën të tregonin një parti të larmishme të punëtorëve, emigrantëve, grave dhe minoriteteve.

Jason Miller, këshilltari i lartë i fushatës së Trumpit, i tha NBC-së më 23 gusht se konventa e demokratëve ishte një “festë masive” nga një parti pa “vizion për të ardhmen”.

Konventa republikane do të sigurojë një pasqyrë në lidhje me strategjinë që republikanët planifikojnë të përdorin për pjesën tjetër të fushatës.

Burime brenda republikanëve thonë se partia synon të paraqesë një vizion optimist për vendin, ndërsa nënvizon arritjet e administratës së tanishme dhe paralajmërimin e rreziqeve të administratës së mundshme demokrate.

“Mbi katër netë, Konventa e Presidentit Trump për vitin 2020 do të nderojë historinë e madhe amerikane, popullin amerikan që e kanë shkruar atë dhe mënyrën sesi agjenda e presidentit Donald Trump i ka fuqizuar ata që të kenë sukses”, u tha në një deklaratë nga ekipi i fushatës së Partisë Republikane.

Folësit kryesorë të konventës janë disa pretendentë të konsideruar për emërimin presidencial të partisë më 2024, përfshirë ish-ambasadoren në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, Sekretarin amerikan të Shtetit Mike Pompeo, dhe nënpresidentin, Mike Pence.

Fëmijët e Trump, përfshirë Ivanka Trump, Donald Trump Jr. dhe Eric Trump, gjithashtu do të kenë mundësi të flasin para republikanëve. Edhe zonja e parë, Melania Trump pritet të mbajë fjalim.

Konventat e partive janë një element kryesor i politikës amerikane ku mijëra delegatë dhe figura politike emërojnë zyrtarisht kandidatin presidencial të partisë.

Zgjedhjet do të mbahen më 3 nëntor.

Për dallim nga Konventa e demokratëve që u zhvillua plotësisht në formë virtuale, republikanët ende planifikojnë të zhvillojnë disa aktivitete me organizime të zakonshme.

LEXO EDHE:

Back to top button