Pas raportimit të Alsat, MPB përgjigjet për qytetaren që nuk mund ta marrë nënshtetësinë

Pas raportimit të Alsat, MPB përgjigjet për qytetaren që nuk mund ta marrë nënshtetësinë

Gazetar: Mefail Ismaili

Një ditë pas publikimit në Alsat të rastit të Islam Dalipit nga Kumanova i cili prej vitesh nuk mund t’i sigurojë shtetësinë bashkëshortes, edhe pse të kurorëzuar nga viti 2008, Ministria e Brendshme insiston se Fidrije Dalipi nuk i plotëson kushtet për shtetësi.

“Theksojmë se e lartë përmendura nuk i plotëson kushtet e nenit 7, në pajtueshmëri me ndryshimet ligjore për arsye se nuk ka jetuar në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut që nga 08.09.1991, gjë e cila është një nga kushtet në pajtueshmëri me ndryshimet e Ligjit për Shtetësi”, thonë nga MPB për Alsat.

Por pavarësisht se MPB thirret në nenin 7 të ligjit për shtetësi i cili ka të bëjë për personat që kanë jetuar në Maqedoni deri në vitin 1991, neni 9 i po të njëjtit ligj me të cilin Islam Dalipi ka bërë kërkesë të re e thotë të kundërtën.

“I huaj i cili është në kurorëzim me shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut së paku 3 vite dhe nga dorëzimi i kërkesës ligjërisht qëndron së paku një vit pa ndërprerje në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut mundet me natyralizim të fitojë shtetësi të Republikës së Maqedonisë së Veriut edhe pse nuk i plotëson kushtet e nenit 7, pikat 1, 2,3,6 dhe 10 të këtij ligji”, thuhet në Neni 9 i ligjit për shtetësinë.

Islam Dalipi tha dje se me bashkëshorten e cila është nga Kosova, kanë kurorëzim që nga viti 2008.

“I kemi dy fëmijë, do të thotë e bëhet fjalë për një periudhë kohore 13 vjeçare. A shkojnë fëmijët në shkollë? po shkojnë po. A i kanë nënshtetësitë? Po i kanë ato, normal i kanë”, ishte shprehur dje Islam Dalipi, Qytetar Kumanovë për Alsat.

Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se mbi 8 mijë persona presin për të marrë shtetësinë edhe pas miratimit të ligjit të ri. Fajësojnë Institucionet shtetërore për obstruksione.

“Ne si opozitë së pari kemi në plan që të sigurojmë avokat për çdo rast i cili paraqitet në këtë mënyrë. E atëherë do të presim se çfarë qëndrimi do të mbahet në përbërjen e re të qeverisë, edhe pse nuk besojmë se do të ketë ndryshim, atëherë besoj se grupi parlamentar i ASH-së do të marrë masa të tjera demokratike në kuadër të parlamentit”, tha Bekim Tateshi nga ASH.

Nga MPB-ja thonë se e respektojnë ligjin dhe se prej miratimit të të njëjtit kanë pranuar 359 lëndë për shtetësi nga persona të cilët kanë lindur në vendin tonë dhe 1375 kërkesa nga persona të huaj. Ligji i ri për shtetësinë lehtëson procedurat e marrjes së nënshtetësisë, sidomos për qytetarët që më shumë se 30 vite nuk kanë mundur të marrin shtetësi, por edhe për ata të cilët e kërkojnë shtetësinë në bazë të kurorëzimit./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button