Pavarësisht premtimit të autoriteteve, vazhdon mungesa e terapive për pacientët me kancer

Pavarësisht premtimit të autoriteteve, vazhdon mungesa e terapive për pacientët me kancer

Gazetare: Linda Ebibi

Përsëri pacientët onkologjikë ballafaqohen me mungesë të terapisë biologjike. Aktualisht mungojnë dy terapi, ndërsa nga fundi janë edhe disa terapi të tjera. Nga 15 marsi ka filluar të mungojë një terapi, ndërsa në ditët në vijim ka filluar të rritet mungesa e terapive tjera. Përveç mungesës së barnave për kancerin e gjirit mungojnë ilaçe edhe për kancerin e mushkërive. Pacientët thonë se këtë vit është ndarë buxhet më së shumti për Klinikën e Onkologjisë, por këtë nuk arrijnë ta vërejnë në praktikë pasi përsëri ballafaqohen me mungesë të terapive.

“Të jemi real, ne e dimë se sa barna nuk ka pasur në muajin shkurt. Mendimi im, nga ajo që e di për Klinikën dhe se cilat janë sasitë që i nevojiten klinikës, mendoj se përderisa nuk miratohet tenderi para festave, atëherë pas festave do të diskutojmë për mungesën e më shumë se dy barnave, këtë e them me siguri të plotë dhe e vërtetojë këtë, këtu do të bëjë pjesë edhe terapia imunologjike e cila është nga fundi dhe një numër i madhi barnave të cilët janë për repartet tjera”, deklaroi Ana Marjanoviq, paciente dhe përfaqësuese e “Hema Onko”.

Drejtori i Fondit Shëndetësor Sasho Klekovski tha se kjo ka ndodhur për shkak të përditësimit të sistemit në Zyrën për Prokurime Publike, dhe se para festave të pashkëve do të arrijnë të gjitha barnat e nevojshme.

“Për momentin është duke u realizuar prokurimi publik, prokurimi vjetor, ajo është hapur të premten e kaluar për shkak të problemeve teknike në Zyrën për Prokurime Publike, apo ndryshimin dhe përditësimit të sistemit, dhe ka ndodhur kjo vonesë. Tenderi është i hapur, presim kontrolle nga Zyra për Prokurime Publike dhe pres që para festave të pashkëve të gjitha barnat të jenë të qasshëm, në sasi të duhura për 12 muajt e ardhshëm”, tha Sasho Klekovski, drejtor i Fondit Shëndetësor.

Pacientët onkologjikë gjithashtu ankohen edhe për mungesën e kuadrit mjekësor në Klinikën e Onkologjisë, pasi turmat dhe radhët e gjata në klinikë nuk kanë fund. Edhe në fillim të këtij viti pacientët me kancer kishin mungesë të gjashtë terapive biologjike, ndërsa furnizimi i tyre shtyhej nga java në javë. Autoritetet shëndetësore premtonin se nuk do të përsëritej më një situatë e tillë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button