Për më pak se 20 ditë do të vjetërsohet vepra e ish shefit të DSK-së Sasho Mijallkovit në lëndën “Titanik 2”

Për më pak se 20 ditë do të vjetërsohet vepra e ish shefit të DSK-së Sasho Mijallkovit në lëndën “Titanik 2”

Gazetar: Ardit Ramadani

Përderisa ditët për vjetërsimin e veprës së ish-shefit të policisë sekrete Sasho Mijalkov në lëndën “Titanik 2” janë të numëruara, me këtë lëndë po luhet ping-pong mes gjykatës së shkallës së parë dhe apelit. Më 21 mars skadon afati i deponimit të ankesave ndërsa deri tani, vetëm Menduh Thaçi nuk është ankuar për dënimin e shqiptuar prej dy viteve burg, atij dhe të akuzuarve tjerë.

Vepra e Mijallkovit vjetërsohet për më pak se 20 ditë dhe që të evitohet kjo, sipas gjykatës penale aktgjykimin e kanë dorëzuar në Gjykatën e Apelit më 7 mars, përkatësisht pa skaduar afati prej 15 ditëve për deponimin e ankesave, thirren në nenin 430 të ligjit të procedurës penale që sipas tyre mundëson që vendimi për ankesën e secilës palë, të vlejë edhe për të akuzuarit tjerë të cilët nuk kanë deponuar ankesë.

“Meqenëse afati ligjor prej 15 ditësh për ankesa nuk kishte skaduar ende nga dorëzimi i fundit i aktgjykimit, gjykata e dërgoi çështjen në gjykatën e shkallës së dytë ndërsa që të respektojë të drejtat e palëve, mori parasysh nenin 430 të ligjit të procedurës penale. Nëse gjykata e shkallës së dytë në kuadër të cilës do ankesë konstaton se arsyet për të cilat është sjellë vendimi në dobi të të akuzuarit janë edhe në dobi për ndonjë prej të akuzuarve të tjerë të cilët nuk kanë dorëzuar ankesë apo nuk janë deklaruar në atë drejtim, do të veprojë në përputhje me ligjin sikur të ekzistojë një ankesë e tillë”, thonë nga Gjykata Penale, Shkup.

Kjo ishte e papranueshme për gjykatën e Apelit, të cilët ndryshe e interpretojnë të njëjtin nen të Kodit Penal. Sipas tyre, ky nën vlen pas skadimit të afatit për deponimin e ankesave dhe jo më herët, andaj, ata kthyen lëndën përsëri në shkallën e parë. Nga koalicioni “Të gjithë për gjykime të drejta” potencuan se gjasat janë të mëdha që Mijalkov të shpëtojë nga ndjekja penale edhe në këtë lëndë, por sipas tyre, Apeli ka në dorë të parandalojë këtë.

“Nëse merret parasysh periudha kohore që është në dispozicion deri në vjetërsimin e veprës dhe koha që zakonisht i nevojitet gjykatës së shkallës së dytë për të marrë një vendim , është mjaft e pritshme që të ketë vjetërsim për ndjekje penale të veprës së Mijalkov në këtë lëndë. Por mundësia e parandalimit të vjetërsimit nuk përjashtohet, në rast se Gjykata e Apelit vendos të priotirizojë këtë lëndë”
Meqë vepra për të cilën akuzohet Mijalkov është deri në pesë vite burg, vepra i vjetërsohet më 7 prill të këtij viti ndërkaq të akuzuarit tjerë nuk do të mund të shpëtojnë me vjetërsim, pasi ju ngarkohet vepra “keqpërdorim i detyrës dhe kompetencave zyrtare”, reagojnë nga “Të gjithë për gjykime të drejta”.

Rikujtojmë që “Titanik 2” ka të bëje me parregullsitë zgjedhore, përkatësisht Mijalkovi akuzohet se përmes liderit të PDSh-së, Menduh Thaçi, ka porositur që të urdhërojë bashkëpartiakun e tij nga KShZ-ja, Bedredin Ibraimin, të votojë për prishjen e votimit të rregullt në Strumnicë. Të akuzuar tjerë janë Bedredin Ibraimi, Sasho Sërcev, Vllatko Sajkovski dhe Aneta Stefanovska./Alsat.mk

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button