Përçarje në Kongresin e Alternativës

Gazetar: Adrian Kerimi

Pakënaqësi në kongresin e parë të partisë Alternativa mbi efikasitetin këtij subjekti në Qeveri dhe përcaktimet programore për të cilat partia e Afrim Gashit u bë pjesë e pushtetit. Deputeti Skender Rexhepi nuk mori pjesë në kongres si rezultat i pakënaqësisë që ka ndaj performancës së subjektit tij në Qeveri mbi qëllimet për të cilat u bë pjesë e pushtetit. I pyetur nëse kjo nënkupton përçarje brenda partiake, Rexhepi thotë se mos pjesëmarrja kishte për qëllim pikërisht evitimin e përçarjes, por që në thelb ka kërkesën për përgjegjësi nga udhëheqësia, shkruan Alsat.

“Unë edhe publikisht para disa ditësh i shpreha qëndrimet e mia lidhur me pjesëmarrjen e Alternativës në Qeveri, si dhe pakënaqësinë time për mos zbatimin e asnjë pike nga marrëveshja. Prandaj, uroj që sa më shpejtë të realizohen ato përcaktime programore të parapara, pasi që interesi i qytetarëve duhet të jetë mbi interesin personal. Mos pjesëmarrja ime ishte pikërisht të evitoj mundësinë e përçarjes dhe të pres reflektimin nga udhëheqësia mbi platformën qeveritare”, tha Skender Rexhepi, Deputet i Alternativës

Por Gashi thotë se Rexhepi nuk ishte delegati i vetëm që mungon dhe se veprimi i tillë është arsye personale e tij.

“Ai ishte i ftuar sikur të gjithë delegatët e tjerë që nuk kanë ardhur. Secili i din arsyet e veta, por ftesa i është dorëzuar secilit veç e veç deri tek secili delegat i partisë”, tha Afrim Gashi, Kryetar i Alternativës

Lidhur me mos realizimin e pikave programore për të cilat Alternativa u bë pjesë e Qeverisë si zgjidhja e rasteve të montuara gjyqësore dhe marrja e datës për negociata me BE-në, Gashi thotë se për mundësinë e mos realizimit të tyre ishte i vetëdijshëm edhe në momentin kur ka bërë marrëveshjen me ish kryeministrin Zoran Zaev.

“Unë edhe atë ditë nuk isha i sigurt se realizohet çdo pikë. Ajo çfarë unë kam dashur të bëj është se do të duhet si parti politike të jemi transparent dhe në Qeveri të hyjmë me marrëveshje të shkruar dhe të publikuar që qytetarët ta din se për çfarë angazhohemi ne dhe të ndjekin punën tonë se sa pika kemi realizuar. Momentin kur do të shpallen zgjedhjet unë do të dal para jush dhe do t’ju tregoj për secilën pikë a është realizuar ose jo dhe cilat ishin arsyet”, tha Afrim Gashi, Kryetar i Alternativës

Gashi pretendon edhe një mandat si kryetar i partisë Alternativa. Në kuadër të kongresit ai tha se partia e tij është kundër zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ndërsa lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Gashi tha mbështesin idenë për një njësi zgjedhore. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button