Petrova: Të ardhurat jashtë vendit nuk tatohen dy herë
Gazetar: Angel Dimovski
Qytetarët që kanë punuar jashtë vendit dhe kanë realizuar të ardhura nuk mund të tatohen dy herë, deklaroi drejtoresha e Drejtorisë së të Ardhurave Publike, Elena Petrova, në intervistën në Alsat. Sipas saj, ligji pamundëson tatimin e dyfishtë dhe nëse tatimi është paguar tashmë në një shtet, qytetari duhet vetëm të dorëzojë dokument si dëshmi.
“Rregulli i përgjithshëm është se tatimi nuk mund të paguhet në të dy vendet, por duhet të paguhet në njërin prej vendeve. Pra, që të respektohet ky rregull dhe të mos ketë as tatim të dyfishtë, por as përjashtim të dyfishtë, përkatësisht tatimi të mos paguhet askund, duhet të zbatohet një procedurë e caktuar; domethënë qytetari, për të ardhurat e realizuara, duhet të ketë dëshmi, dokument të lëshuar nga administrata tatimore se tatimi është paguar në vendin ku është tatimuar“, deklaroi Elena Petrova – drejtoreshë e Drejtorisë së të Ardhurave Publike.
Për personat të cilëve u ka ardhur vendim për pagesë tatimi për të ardhura të realizuara në vitin 2020, ndërsa kanë punuar në bazat ushtarake në Afganistan dhe pretendojnë se tatimi u është paguar tashmë, Petrova deklaroi se, në koordinim me Ministrinë e Jashtme, janë kërkuar dëshmi.
“Nevojiten dëshmi nga administratat tatimore të huaja dhe pikërisht këtë kategorie qytetarësh që dorëzuan të tilla dëshmi ua marrim parasysh vërejtjet se tatimi është paguar në kompanitë e huaja dhe pikërisht atyre u dolëm në ndihmë; pra, për rreth 250 qytetarë, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme iu drejtuam administratave tatimore të huaja që të na i konfirmojnë ato dëshmi të lëshuara nga kompanitë, përkatësisht të na konfirmojnë se tatimi është paguar“, theksoi Elena Petrova – drejtoreshë e Drejtorisë së të Ardhurave Publike.
Nuk tatohen të gjitha të ardhurat nga jashtë, sqarojnë institucionet përgjegjëse. Një pjesë e parave që qytetarët i marrin nga jashtë janë transferime private – si mbështetje familjare, hua, alimentacion e të ngjashme dhe nuk konsiderohen të ardhura të tatueshme./Alsat.mk.








