“Poligraf”: Propagandistët rusë me paralele të rreme mes Kosovës dhe Ukrainës përpiqen të legjitimojnë invazionin rus

“Poligraf”: Propagandistët rusë me paralele të rreme mes Kosovës dhe Ukrainës përpiqen të legjitimojnë invazionin rus

Përshkallëzimi i krizës në Kosovë është përcjellë me përhapjen e dezinformatave të shumta ruse dhe teorive të konspiracionit.

 

Portali për luftë kundër dezinformatave “EU vs. Disinfo” kohëve të fundit ka ekspozuar shumë dezinformata ruse, të cilat përmes “ekspertëve” të ashtuquajtur fajësojnë NATO-n, BE-në, SHBA-të apo Perëndimin për përshkallëzimin e krizës në Kosovë.

Përkundër akuzave të padëshmuara, “EU vs. Disinfo” tregon se mu “përfaqësuesit rusë, mediat dhe Telegram kanalet për një kohë të gjatë po përpiqen të ndezin tensionet rreth Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor”.

„EU vs. Disinfo“ jep si shembull nisjen e kanalit RT Balkan në gjuhën serbe, të cilin propagandistja e Putinit, Simonjan, e promovon me fjalët “Sepse Kosova është Serbi”.

Propagandistët rusë bëjnë gjithashtu paralele të rreme mes Kosovës dhe Ukrainës, në përpjekje për të legjitimuar invazionin rus. Një paralele e tillë bëhet edhe në dokumentarin propagandistik rus “Serbia: Shenjat e Luftës”, botuar disa muaj më parë edhe në portalet në vend, të cilin RT e përhapi në më shumë gjuhë në mbarë botën.

Në të, RT promovon radikalë të djathtë pro-rusë, si Misha Vaciq nga “E djathta serbe”, i cili, i veshur me një bluzë me shenjën “Z”, bën një paralele midis “botës ruse” dhe “botës serbe”. ”

 

“Djali im dhe fëmijët e tjerë do të jetojnë në një vend të paqes absolute, ku janë mbledhur të gjitha tokat serbe, pra, nga Deti Serb, përmes Bosnjës serbe, Kosovës serbe. Ashtu siç Rusia arrin të denacifikojë dhe demilitarizojë botën ruse, ashtu edhe ne serbët kemi të drejtë që përmes operacioneve speciale të krijojmë botën serbe, e cila do të jetojë në paqe dhe liri”, thotë Vaciq në këtë dokumentar propagandistik.

Mirëpo, nuk është e vërtetë se ka “det serb”, si dhe se “Rusia arrin të denacifikojë dhe demilitarizojë botën ruse”. Invazioni i paligjshëm ushtarak i Rusisë mbi Ukrainë nuk ka të bëjë fare me “denacifikim” apo “demilitarizim të botës ruse”. Këto dezinformata veç më janë përgënjeshtruar nga kontrolluesit e fakteve.

Me dezinformata të këtilla justifikohen pretendimet ushtarake imperialiste të Rusisë në Ukrainë, si dhe të Serbisë në Ballkan. Siç spjegon “EU vs. Disinfo”: “Kosova dhe Donbasi janë të ndryshme dhe nuk mund të krahasohen. Në Kosovë, regjimi serb i Sllobodan Millosheviqit bëri një luftë me mijëra viktima dhe qindra mijëra refugjatë dhe persona të zhvendosur. Në Ukrainë, nuk ka pasur luftë përpara aneksimit të paligjshëm nga Rusia të gadishullit ukrainas të Krimesë në vitin 2014.”

Më 11.12.2022, Vaciq publikoi edhe video të një automjeti me shenjën ruse “Z” dhe një mesazh: “Sonte nga 40 qytete të Serbisë janë gati të nisen qindra të rinj trima që do të qëndrojnë në mbrojtje të barrikadave!”.

Është e qartë se dezinformatat e Vaciqit, të përforcuara në dokumentarin e RT-së, nuk kanë fare lidhje me “paqen dhe lirinë”, por me nxitjen e një konflikti në Kosovë dhe Ballkan, pikërisht atë që po përpiqet të arrijë propaganda e Kremlinit.

LEXO EDHE:

Back to top button