Priten reshje të shumta të shiut në Shqipëri, veriu më i rrezikuari

Priten reshje të shumta të shiut në Shqipëri, veriu më i rrezikuari

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi, sot deklaroi se në ditët në vijim pritet të ketë reshje të shumta të shiut, sidomos në pjesën veriore të vendit. Ai tha se kjo i përball edhe me rrezikun e emergjencave të natyrave të ndryshme pothuajse në të gjithë vendin.

Ministri Peleshi u shpreh se nga raportimet e bëra, pra në 24 orët e fundit, nga qarqet nuk ka situata problematike, por tha se në Shkodër, Kukës, Dibër dhe Lezhë mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve dhe rrëshqitje të dheut.

“Ishte parashikuar, e kemi paralajmëruar në 24 orët e fundit, në basen e lumit Drin ka mbizotëruar mot i paqëndrueshëm, me vranësira dhe reshje shiu. Për 24 orë kanë rënë mesatarisht 65 milimetra në basenin e Koman-Vau i Dejës dhe rreth 33 milimetra në basenin e Fierzës. Sasia më e madhe e reshjeve është regjistruar në Aplet e Shqipërisë, rreth 120 milimetra, në Theth-Valbonë dhe 100 milimetra në zonën e Pukës. Reshjet e rëna deri tani, janë përkthyer në këto vlera prurjesh: në Fierzë 450 metra kub në sekond, në Koman 560 metër kub në second, e në Vaun e Dejës 130 metër Kub në sekond. Deri tani, nga raportimet e bëra, pra në 24 orët e fundit, nga qarqet nuk kemi situata problematike, kuotat e lumenjve janë, deri tani në kuota normale. Në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër dhe Lezhë mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malor dhe rrëshqitje të dherave. Në zonat urbane në këto qarqe mund të shfaqen probleme, përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve, por dua të bëjë këtu me dije se të gjitha shtabet e bashkive nën drejtimin e institucionit të perfektit, janë në gatishmëri, janë marrë masat, bashkitë kanë punuar në kohë për të parandaluar përmbytjet e mundshme, pastrimin e kanaleve dhe masat e tjera, gjithsesi një sasi e jashtëzakonshme e reshjes në disa zona mund të na përball me emergjenca të pashmangshme, andaj besoj që ka vlerë të jemi të ndërgjegjësuar dhe të marrim masat e tjera shtesë për t’i përballur sa më mirë dhe pa rrezikuar jetët dhe pasurinë e qytetarëve tanë”, tha ai.

Peleshi u shpreh se për sot priten reshje shumë intensive në qarqet Shkodër dhe Kukës, reshje intensive në qarqet Dibër dhe Lezhë derisa tregoi se në disa qarqe reshjet priten të shoqërohen edhe me shtërngata.

“Bazuar në informacionin e dërguar nga Instituti i Gjeoshkencave, parashikimet e deritanishme të reshjeve për ditët në vazhdim e martë, pra data 17, 18, 19 dhe 20 parashikimet hidorologjike për sot dhe dy ditët në vazhdim janë si më poshtë: Për ditën e sotme, pra datë 17, priten reshje shumë intensive në qarqet Shkodër dhe Kukës, reshje intensive në qarqet Dibër dhe Lezhë, mesatare deri në lokalisht intensive në qarqet e tjera të vendit. Në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër, reshjet priten të shoqërohen dhe me shtërngata. Reshje mesatare deri në intensive priten priten pothuajse në të gjitha zonat e tjera vendit. Më të përqendruara, do të jenë, siç e thamë dhe me intensiet më të lartë në veri të Shqipërisë.”, nënvizoi ai.

Peleshi shtoi se Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka sjellur në vëmendjen e bashkive nga dita e djeshme rritjen e gatishmërisë të strukturave të sistemit të mbrojtjes civile.

LEXO EDHE:

Back to top button