Pritet autopsia e viktimave, familjarët presin në ankth

Pritet autopsia e viktimave, familjarët presin në ankth

Gazetar: Zeqirija Haxhiu

Familjarë dhe të afërm në ankth presin rezultatet nga autopsia që u bëhet viktimave nga zjarri që kaploi dje klubin “PULSE” në Koçan, shkruan Alsat.

Derisa qëndronim para institutit, takuam familjet e dy pjesëtarëve të grupit DNK, bateristit Gjorgi Gjorgiev, dhe fotografit Aleksandar Efremov.

Nga dhimbja që kishin, nuk kishin fuqi të flasin para kamerave. Nga instituti, doli më pas edhe vëllau i këngëtarit të grupit DNK, Andrej Gjorgievski.

Autopsia për vërtetimin e saktë të shkaqeve por edhe identifikimin e të gjitha viktimave, bëhet në Institutin për Mjekësi Ligjore.

Drejtori i këtij instituti, Aleksandar Stankov, në një bisedë telefonike na njoftoi se i gjithë stafi është angazhuar dhe punon në mënyrë intenzive, me qëllim që sa më shpejtë familjet të mund t’i marrin trupat apo mbetetjet e trupave të të afërmve të tyre. Nuk konkretizoi se kur mund të përfundojë i gjithë procesi dhe çfarë është konstatuar nga autopsitë e deritanishme.

Në mesditë, ministri i brendshëm Pançe Toshkovski, njoftoi se deri tani është kryer autopsi për gjithsej 15 viktima.

“Pas orës 17 gjatë ditës së djeshme ka filluar me bartjen e trupave të të vdekurve deri te Instituti për Mjekësi Ligjore për autopsi. Sipas informacioneve që kam deri tani, është kryer autopsi për rreth 15 persona”, tha Pançe Toshkovski – Ministër i Brendshëm.

Gjatë ditës së djeshme në spitalin e Koçanit, disa familjarë duke dashur që t’i shohin dhe t’i kenë pranë të afërmit që humbën jetën nga zjarri, bllokuan rrugën duke mos lejuar që trupat të dërgohen për autopsi.

Nga zjarri në diskotekën PULSE, humbën jetën gjithsej 59 persona, 35 prej të cilëve u identifikuan gjatë ditës së djeshme./ Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button