Problemi me deponinë në Rusino drejt zgjidhjes

Komuna e Gostivarit dha dritë jeshile për themelimin e ndërmarrjes së përbashkët për menaxhim me deponinë Rusino. Këtë hap Gostivari e bëri kur duhej të firmoset garancia mes nëntë komunave, ministrisë së Ekologjisë dhe Këshillit protestues “Stop Rusino”.

- Advertisment -

Parimisht unë si qytetar apo ne nuk do kishim dashur që kjo deponi të jetë këtu me këto standarde apo pa standarde, por edhe koha për tu sanuar kjo deponi nuk është e shkurtër andaj, ne bashkë me OJQ-të dhe përfaqësuesit e partive në Gostivar, vendosëm që përmes kësaj ndërmarrjeje dhe Rajonit planor të Pollogut të nënshkruajmë një dokument dhe garanci që për pesë vite do gjendet një lokacion i ri për deponi – tha Valbon Limani, shef i kabinetit të kryetarit.

Nga këshilli protestues “Stop Rusino” nuk besojnë në zgjidhjen e probleme me formimin e kësaj ndërmarrjeje. Këmbëngulin që Ministria dhe Komunat e Pollogut të nënshkruajnë garanci me shkrim që për pesë vite deponia do të hiqet nga Gostivari.

Na është thënë që themelimi i kësaj ndërmarrje do i zgjidh këto probleme, pra mbetet të shohim. Presim që ti marrim nënshkrimet në letër të bardhë dhe ko do ishte garancia e vetme se Rusinoja do të mbyllet për pesë vite. Ne do jemi në moratorium, megjithatë këtu jemi për të reaguar për gjithçka që nuk do ec sipas planit për menaxhim me mbetjet dhe kërkesave që i dorëzuam – u shpreh Maria Spasovska, “Stop Rusino”.

Qytetarët e Gostivarit kërkojnë mbylljen e deponisë.

“T`iu them të drejtën duhet të mbyllet ajo. Nuk e di a keni qenë atje a e keni pa si është ajo. Duhet të gjendet zgjidhje, mjerë ata njerëz që jetojnë atje”.

“Duhet të mbyllet normal, po ku do i dërgojmë, po duhet diku ti dërgojnë ato mbeturina. Pengon normal neve si banorë na pengon po puna është se diku duhet të hidhen, e shteti sa interesohet për ne shteti e di, po e dimë ma edhe ne krejt”.

Ndërmarrja për menaxhimin e Rusinos e themeluar nga nëntë Komunat e Pollogut, pritet të jetë gati në janar të vitit të ardhshëm. Nuk dihet nëse deri atëherë do të lejohen komunat e tjera të hedhin mbeturinat në Rusino.

Bashkim Sulejmani

LEXO EDHE:

Back to top button