Propozimi për gjykatësit kushtetues, gjysmak

Propozimi për gjykatësit kushtetues, gjysmak

Gazetare: Fatlume Dervishi

Vetëm emrat e dy prej gjithsej tre kandidatëve për gjykatës kushtetues kanë arritur në seancë plenare për shkak se propozimi për zgjedhjen e Lubomir Joveskit nuk ka kaluar akoma në komision, shkruan Alsat.

Pas disa vazhdimeve të seancës së komisionit, kryetarja e komisionit e ka dorëzuar propozimin gjysmak në plenare.

Sipas VMRO-DPMNE-së kjo praktikë nuk është zbatuar më herët dhe se propozimi në plenarë duhet të vijë i plotë me tre emra.

“Propozimi final në tërësi vjen me të tre propozimet dhe atë duhet ta votojmë dhe ta dërgojmë si dokument, gjegjësisht raport deri te kryetari i Kuvendit i cili e dërgon te plenumi. Sepse unë mund të kem mendim të ndarë. Ndoshta më pëlqen propozimi i parë dhe jam kundër për propozimin e dytë. Në fund si tërësi për të gjithë propozimin do të votoj “për” ose “kundër”, tha Nikolla Micevski, koordinator i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së.

VMRO-DPMNE-ja thotë se do të iniciojë interpelancë për kryetaren e emisionit për zgjedhje dhe emërime Marija Georgievska dhe se do të rishikohet e gjithë procedura për zgjehdjen e gjykatësve të rinj të Kushtetueses.

“Nëse qëllimi i opozitës është ta bllokojë zgjedhjen e gjykatësve kushtetues dhe ta sjell vendin në krizë kushtetuese sepse në nëntor përfundon mandati edhe i gjykatësit të pestë, ne nuk do ta lejojmë këtë”, theksoi Jovan Mitreski, koordinator i grupit parlamentar të LSDM-së.

Komisioni për zgjedhje dhe emërime ka arritur të miratojë emrat e Fatmir Skender dhe Tatjana Vasiq Bozaxhieva, të dy propozime të pushtetit.

Në komision janë hedhur poshtë të gjashtë emrat e propozuar nga opozita, kurse shumica është e vendosur të miratojë edhe emrin e kryeprokurorit aktual, Jubomir Joveskit, për gjykatës të ardhshëm të kushtetueses.

Gjykata Kushtetuese funksionon me vetëm pesë nga gjithsej nëntë anëtarët sa duhet të ketë. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button