Provimi i maturës do të mbahet më 27 maj, Qendra për Provime pezullon grevën

Provimi i maturës do të mbahet më 27 maj, Qendra për Provime pezullon grevën

Gazetare: Melihate Rustemi

Sindikata e Qendrës Shtetërore të Provimeve ka pezulluar grevën. Si arsye për këtë, sindikata përmend dyshimin se nëse provimi i maturës shtetërore zhvillohet me forcë, mund të vërë në pikëpyetje vlefshmërinë e testeve. Gjithashtu, ata thonë se vendimin e morën pas deklaratës së ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri se më 27 maj patjetër duhet të ketë maturë shtetërore.

“Masat dhe presionet e dhunshme të ministrit Shaqiri me tentativën për futjen e të huajve në procesin e maturës shtetërore, proces me shkallë të lartë të fshehtësisë, do të vënë në pikëpyetje vlefshmërinë e testimit dhe rezultatet e maturës. Punonjësit e Qendrës Shtetërore të Provimeve, si ekspertë të fushës dhe persona me integritet të lartë dhe me ndjenjë përgjegjësie sociale, kanë vendosur të shtyjnë luftën për të drejtat e tyre për një jetë dinjitoze në të mirë të së ardhmes suaj”, thonë nga Sindikata e Qendrës Shtetërore të Provimeve.

Paraprakisht, ministri i Arsimit Jeton Shaqiri tha se nëse është e nevojshme, në Qendrën Shtetërore të Provimeve do të dërgojnë staf nga Ministria e Arsimit për të ndihmuar në kryerjen e detyrave të punës. Ndërkohë, nga UNSHM-ja vlerësojnë se sikurse greva edhe e drejta e arsimit është e garantuar me kushtetutë.

“Që nga fillimi i grevës, qëndrimi im është se proceset e rëndësishme nuk mund t’i lidhim gjithmonë me disa kërkesa. Sipas informacione që kam po bëhen të gjitha përgatitjet të realizohet matura shtetërore më 27 Maj. Nëse është e nevojshme, do të angazhojmë edhe kuadër të Ministrisë së Arsimit të cilët nga e hëna do të shkojnë Qendrën Shtetërore të Provimeve për ti kryer detyrat e punës”, u shpreh Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit.

“Të gjitha këto procese shndërrohen në përplasje politike në vend se një proces normal që organizohet gjithkund në botë. Sepse, vetëm në këtë mënyrë merren informacionet e duhura, statistika ose thjesht jemi të informuar për të sjell vendime se ku jemi dhe ku duhet të ndryshojmë në fushën e arsimit”, deklaroi Lluka Paviçeviq, kryetar i Unioni i Nxënësve të Shkollave të mesme.

Greva tre javëshe e Sindikatës së Qendrës Shtetërore të Provimeve ka mbajtur pezull 15.620 maturantë të cilët tashmë kanë paraqitur provimet për më 27 maj dhe 10 qershor. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button