Putini akuzon “të huajt për kryengritjen terroriste” në Kazakistan

Presidenti rus, në ditën e nisjes së negociatave të profilit të lartë me Shtetet e Bashkuara për Ukrainën, ka shpallur fitoren kundër protestuesve të revoltuar në Kazakistan, duke akuzuar pa dëshmi se pakënaqësia ishte kryengritje terroriste me mbështetje të jashtme.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka shpallur fitoren në mbrojtje të Kazakistanit prej asaj që e ka quajtur kryengritje terroriste e mbështetur nga jashtë. Ai u ka premtuar liderëve të ish-republikave të tjera sovjetike se aleanca e kryesuar nga Moska gjithnjë do t’u ofrojë mbrojtje.

Në akuzën e tij për terrorizëm ndërkombëtar në Kazakistan, Putini nuk ka ofruar asnjë dëshmi për përfshirje të ndonjë shteti tjetër. Putini ka thënë se Rusia asnjëherë nuk do të lejojë revolucione në rajon.

Trupat ushtarake nga Rusia dhe vendet e tjera janë vendosur në Kazakistan për të kthyer rendin pas revoltës qytetare të përshkallëzuar në dhunë për shkak të ngritjes së çmimeve të derivateve të naftës. Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kanë raportuar për së paku 160 persona të vrarë gjatë shtypjes së dhunshme të protestave.

“U përdorën grupe militantësh të organizuar mirë dhe të menaxhuar në mënyrë të qartë, për të cilat presidenti Tokayev sapo foli, duke përfshirë ata që pa dyshim iu nënshtruan trajnimeve në kampet terroriste jashtë vendit”, u tha Putin udhëheqësve të tjerë në video-konferencë.

“Ngjarjet në Kazakistan nuk janë përpjekja e parë dhe as e fundit për të ndërhyrë në punët tona të brendshme nga jashtë. Masat e marra nga CSTO-ja (Organizata e Traktatit për Siguri Kolektive) tregojnë se ne nuk do të lejojmë një situatë të destabilizuar në rajon dhe nuk do t’i lëmë të kryejnë të ashtuquajturat revolucione me ngjyra”, shtoi ai.

Javën e kaluar sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, vuri në pikëpyetje vendimin e Kazakistanit për të kërkuar ndihmë ushtarake ruse, pasi të parat nga rreth dy mijë trupat e udhëhequra nga Rusia mbërritën në vend. Zyrtarët në Moskë dhanë garanci se prania e tyre ishte e përkohshme.

Blinken u kërkoi autoriteteve kazake që të respektojnë të drejtat e protestuesve duke ruajtur rendin dhe ligjin.

Rusia ka akuzuar prej kohësh Perëndimin për inkurajimin e kryengritjeve në oborrin e saj të pasmë – të ashtuquajturat “revolucione me ngjyra” – që kanë rrëzuar qeveritë në ish-shtetet sovjetike si Ukraina, Gjeorgjia, Kirgistani dhe Armenia.

Kazakistani përjetoi trazirat më të dhunshme politike në tridhjetë vjetët e fundit pas shpalljes së pavarësisë. Putini e ka bërë të qartë se nuk do të lejojë rrëzimin e aleatëve të tij nga pushteti në shtetet që janë në sferën e ndikimit rus.

Ministria e Brendshme e Kazakistanit tha më 10 janar se 7939 persona janë ndaluar gjatë trazirave që nisën më 2 janar. Një ditë më parë, Ministria e Shëndetësisë deklaroi se 164 persona janë vrarë, përfshirë tre fëmijë. Megjithatë, presidenti Tokayev tha se numri i saktë i personave të vrarë gjatë trazirave mbetet i paqartë, teksa hetimet për këtë çështje janë duke u zhvilluar.

Zyra e Tokayevit tha të hënën se ai ka zhvilluar një bisedë me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, të cilit i ka thënë se militantët nga Azia Qendrore, Afganistani dhe Lindja e Mesme qëndrojnë prapa dhunës së fundit.

Në njoftim u tha se Tokayaev i ka thënë Michelit se “nuk ka asnjë dyshim se ky ishte sulm terrorist”, i cili ishte “i organizuar mirë” dhe në të janë përfshirë “luftëtarë të huaj”.

Protestat kanë nisur më 2 janar dhe janë zgjeruar si pakënaqësi ndaj Qeverisë dhe ish-presidentit Nursultan Nazarbayev, i cili ka udhëhequr Kazakistanin për tri dekada dhe ende besohet se ka ndikim.

Autoritetet kanë thënë se situata është stabilizuar dhe se trupat janë duke vazhduar “të pastrojnë” operacionet.

Aktualisht është në fuqi gjendja e jashtëzakonshme.

LEXO EDHE:

Back to top button