Që nga fillimi i invazionit rus në Ukrainë miliona njerëz kanë braktisur shtëpitë e tyre
Gazetare: Arta Tahiri
Ndërsa invazioni rus në Ukrainë vazhdon, shumë nxënës të cilët ikën nga zonat e luftës po tentojnë të vazhdojnë jetën dhe edukimin e tyre. Një ndër ta është edhe Pavlo Maseçko, shkruan Alsat.
Ai së bashku me nënën e tij dhe familjarë të tjerë u largua nga qyteti i Volinjit në perëndim të Ukrainës vetëm pak ditë pasi nisi lufta. Maseçkos i kishin mbetur edhe një vit e gjysmë deri në përfundimin e shkollës së mesme dhe po bënte plane për studimet, por lufta ia ndryshoi tërësisht jetën.
“Situata është shumë stresuese. Është e vështirë ta lësh vendin tënd në një moment të tillë”, tha Pavlo Maseçko, nxënës.
Maseçkos dhe disa bashkëmoshatarëve të tij iu mundësua vazhdimi i shkollimit në Rëzeshov të Polonisë. Përveç mësimeve ai ndihmon edhe me grumbullimin e donacioneve për refugjatët ukrainas dhe për ata që kanë mbetur në zonat e luftës. Që nga fillimi i inavzionit rus në Ukrainë numri i refugjatëve që kanë hyrë në Poloni nga Ukraina ka kaluar shifrën dy milionë. Ky numër është më i madh sesa popullsia e kryeqytetit polak, Varshavës. Më shumë se 3 milionë njerëz kanë ikur prej luftës në Ukrainë, sipas Kombeve të Bashkuara. /Alsat.mk








