Qeveria nuk ka ende një listë me kategoritë që përfitojnë nga ndihma ekonomike për energjinë

Gjatë gjithë vitit Qeveria përgatitet dhe assesi ta miratojë listën e zgjeruar të amvisërive që do të marrin ndihmë shtetërore për tejkalimin e varfërisë energjetike. Lista nuk është ende gati, tani ka debate publike për këtë temë, ndërsa kur të përfundojë i gjithë debati, atëherë do të shpallen të gjitha kategoritë e qytetarëve që do të marrin ndihmë. Paralajmërojnë se programi i ri për luftimin e varfërisë energjetike do të miratohet në tetor.

 “Tani që i kemi bërë të gjitha analizat, do të vendosim se cilat kategori do të përfshihet vitin e ardhshëm. Përveç kësaj, do të bëjmë plan edhe për pesë vitet e ardhshme “- deklaroi Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

 Sipas informacioneve të Alsat-it, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale kishte për detyrë ta hartojë listën e zgjeruar të familjeve që kanë nevojë për ndihmë financiare. Qytetarët ishin optimistë dhe prisnin ndihmë nga shteti vitin e kaluar, por një muaj para sezonit të ri të ngrohjes, në pasiguri nëse do të realizohet edhe këtë vit. Komisioni Rregullator i Energjetikës, me nismën e të cilit po bëhet ky zgjerim, u ka bërë vazhdimisht apel autoriteteve që ta rrisin përfshirjen e qytetarëve sa më shpejt të jetë e mundur, por kjo nuk e përshpejtoi procedurën.

 “Çështja është që shteti ta mbulojë një pjesë të caktuar të kostos së energjisë elektrike për kategoritë e rrezikuara të konsumatorëve. Do të jetë një proces që do të bëhet për herë të parë në vendin tonë. Duhet t’i gjejmë me saktësi këto kategori të reja të rrezikuara të konsumatorëve për sa i përket energjisë.”- pohoi Marko Bislimovski – Kryetar i Komisionit Rregullator të Energjetikës.

 Autoritetet thonë se institucionet kanë pasur probleme në gjetjen e qytetarëve që jetojnë në rrezik social. Janë përpjekur përmes matësve të energjisë elektrike, por në të shpeshtën e rasteve edhe pse personat janë evidentuar në atë adresë, nuk kanë jetuar atje. KRRE-ja  propozoi, përveç shfrytëzuesve të ndihmës sociale, të përfshihen në program pesë kategori shtesë të qytetarëve që do të ndihmohen në sigurimin e energjisë elektrike të nevojshme në shtëpi. Me listën më të gjerë të kategorive, KRRE-ja kërkon të përfshijë amvisëritë që marrin ndihmë të përhershme financiare sociale, amvisëritë në të cilat nuk ka anëtar të punësuar, qytetarët që nuk janë përfitues të ndihmës së përhershme financiare sociale, amvisëritë te të cilat ka person të papunë, marrës të kompensimit monetar nga Agjencia e Punësimit. Pastaj amvisëritë te të cilat ka më shumë se dy anëtarë në të cilat ka edhe një pensionist shtesë që merr pension minimal, amvisëritë me më shumë se dy anëtarë në të cilët njëri është i punësuar dhe merr pagë minimale. Amvisëritë në të cilat ka person të papunë nga 1 prilli i vitit 2020. Informacionet në terren janë se deri në 25 për qind e amvisërive në vend jetojnë në varfëri energjetike.

Ile Petrevski

LEXO EDHE:

Back to top button