Qytetarët ankohen: Ndihma financiare prej 750-3000 denarë është e pamjaftueshme

Qytetarët ankohen: Ndihma financiare prej 750-3000 denarë është e pamjaftueshme

Qytetarët, të pakënaqur nga shuma që do të marrin si ndihmë nga ana e Qeverisë. Rritja e çmimeve të të gjitha produkteve bazë, bën që ndihmat e Qeverisë të shkojnë për vetëm një ditë thonë pensionistët e revoltuar. Çmimet e larta të ushqimit, ilaçeve dhe faturave pamundëson funksionimin normal të qytetarëve. Ankohen se mezi arrijnë të mbijetojnë.

“Assesi nuk janë të mjaftueshme, si janë ngritur çmimet e të gjithave. Edhe artikujt më elementarë për njeriun, që pa ushqim nuk mundet. Shiko gjërat prej qumështit, djathi, kosi, kanë hyp shumë, që çdo mëngjes pa ato nuk mundet. Shumë vështirë është jeta, edhe gjatë luftës, pleqtë tregonin, në luftën e dytë botërore nuk ka qenë kjo krizë dhe kështu do të vazhdojë siç e shoh, nuk ka përmirësime, vetëm fjalë boshe ka plot, por në realitet e kundërta e asaj është.”

“Unë pension po marr, por ndihma nuk është në rregull sepse është pak krahasuar me shpenzimet që i kemi, duhet shumë më shumë… Me 1000 denarë vetëm në Bit Pazar mund t’i harxhosh asgjë më shumë… Ilaçet kushtojnë 5000 denarë, çdo muaj, terapia ajo është, nuk mbërrin, nuk mbërrin.”

“Nuk janë të mjaftueshme, 11 500 denarë pensioni, me 1000 denarë çfarë do të bësh”.
Ata ironizojnë me faktin që ndihmat fillojnë nga 750 denarë.

“Unë mendoj se edhe ju, edhe unë e dimë se çfarë domethënë 700 denarë, kështu që këtu nuk kam koment”.

“Nuk është mjaftueshëm, Qeveria duhet të rris ndihmat sociale, ato janë për askund. Klasa më e rrezikuar po vuan…Çfarë janë 2000-3000 denarë, gjithkund në Evropë është 800 euro socialja, apo 600- 700 euro, këtu të paktën 100 euro të marrin që të mbijetojnë. 06:00 Atyre me aftësi të kufizuara u japin nga 5000 denarë, me 5000 denarë çfarë do të bësh, as pelena nuk mund të blesh”.

Sipas ligjit të ri për ballafaqim me krizën që dje kaloi filtrin e Kuvendit, 200 mijë qytetarë në katër muajt e ardhshëm, duke filluar nga ky muaj, nga dita e hyrjes në fuqi të ligjit do të marrin ndihmë financiare prej 750 deri në 3000 denarë. Sipas këtij ligji, për personat e papunë që shfrytëzojnë të drejtën për sigurim material në formë të kompenzimit janë paraparë ndihmë prej 3000 denarësh.

Pensionistët që marrin deri në 11 525 denarë do të marrin ndihma deri në 1 500 denarësh, ndërsa nëse pensionistët marrin një denarë më shumë se kjo shumë deri në 14 mijë denarë, ndihmat e tyre për katër muajt e ardhshme do të jenë në vlerë prej 750 denarësh. Në këtë ligj përfshihen edhe personat me aftësi të posaçme, prindërit e personave me aftësi të posaçme që e shfrytëzojnë të drejtën për shtesa të veçanta dhe prindërit e vetëm që pranojnë ndihmën e garantuar minimale. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button