Qytetarët: Më shumë lajme të rreme përhapin partitë politike

Qytetarët: Më shumë lajme të rreme përhapin partitë politike

Gazetar: Lluka Andreev

Sipas rezultateve të një sondazhi të fundit të Institutit për Studime të Komunikimit, kushtuar dezinformimit dhe lajmeve të rreme, rreth 54% e qytetarëve dyshojnë për çdo lajm të publikuar. Në raportin e tyre thuhet se 47% e të anketuarve besojnë se partitë politike janë subjektet që përhapin më shumë dezinformata, të ndjekura nga mediat me 28%. Studiuesit nga Instituti thonë se autoritetet duhet të jenë edhe më transparente në luftën kundër dezinformatave.

“Nuk ka, ose nuk kemi zbuluar ne dokument që i referohet dezinformimit, as nuk ka, ndërsa kjo e dyta është shqetësuese, përkufizim i dezinformimit”, deklaroi Vesna Shopar – studiuese në ISK.

Zëvendëskryeministrja për qeverisje të Mirë, Sllavica Gërkovska, duke kujtuar se vendi ka indeks gjithnjë e më të lartë të transparencës aktive, tha se tashmë është hartuar një udhëzim, me të cilin institucionet do të jenë të ngarkuara për publikimin e të gjitha informatave, përveç atyre të klasifikuara dhe atyre me të dhëna personale.

“Përmes informimit të Qeverisë, institucionet do të obligohen që këtë informacion ta publikojnë në ueb-faqet e tyre. Në këtë mënyrë informacioni do të jetë publik, do ketë qasje më të lehtë, gjegjësisht do të mjaftojë vetëm të vizitoni faqen zyrtare të institucioneve konkrete”, tha Sllavica Gërkovska – Zëvendëskryeministre për Qeverisje të Mirë.

Ambasada Britanike, e cila sponsorizon projektin për gazetari të bazuar në fakte, thotë se është shumë e rëndësishme që qytetarët të dallojnë se çfarë është fakt dhe çfarë është trillim, veçanërisht në kontekstin e luftës në Ukrainë.

“Dezinformimi është në qendër të politikës së jashtme dhe të sigurisë ruse dhe operacionet e tyre kanë për qëllim përhapjen e propagandës dhe frenimin e kritikave, por gjithashtu shërbejnë edhe si pretekst për aktivitetet ushtarake të brendshme dhe të jashtme. Shtetet armike, si Rusia, zakonisht përdorin platformat teknologjike dhe rrjetet sociale për të përhapur dezinformata”, u shpreh Endrju Brend – Ambasada e Britanisë së Madhe.

Hulumtimi është realizuar me 1010 të anketuar, përmes anketës telefonike, në periudhën prej 17 deri më 25 tetor. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button