Rasti me lehonën nga Dibra , mjekët deklarohen se nuk ndjehen fajtorë

Rasti me lehonën nga Dibra , mjekët deklarohen se nuk ndjehen fajtorë

Gazetar: Miki Trajkovski

Mjeku Muhamed Asani dhe djali i tij Blerton Asani, si i akuzuari i parë dhe i dytë, në rastin e lehonës nga Dibra, Jilldiz Veaposka, më në fund dolën në sallën e gjyqit. Ata, së bashku me mjeken e tretë të akuzuar, Ljiljana Jovanoska, e cila po gjykohet për vepra të rënda kundër shëndetit të njerëzve, u deklaruan të pafajshëm. Veaposkës, pas lindjes me prerje cezariane në vitin 2020 në spitalin e Strugës, i kanë hequr mitrën, vezoren dhe një veshkë. Pas 14 ditësh në shok, ajo zgjua në klinikën e Shkupit.

“Ditën e fundit, pasi gjendja ime u përkeqësua, i telefonova burrit, se po dilja nga spitali për të shkuar në shtëpi, por që nuk isha mirë, të vinte të më merrte dhe të më çonte në një spital tjetër, se po vdes dhe dy fëmijët e mi do të mbeten pa nënë. Ata vendosën të më fusin në sallën e operacionit. Nuk e harroj kurrë. Ndërsa doktor Asani u kthye dhe tha me gisht këtë ta përgatisni për në sallë”, tha Jilldiz Veaposka -e dëmtuar.

Veaposka ishte e shqetësuar gjatë dhënies së dëshmisë, ndaj gjykatësi dha pushim prej pesë minutash, në mënyrë që ajo të qetësohej dhe të vazhdonte dëshminë e saj. Veaposka thotë se asaj i rikthehen ende ngjarjet e tre viteve më parë.

“Kam frikë nga kjo dhe jam shumë keq. Të mbetesh pa organe është shumë e vështirë dhe është shumë e vështirë të debatosh nëpër këto dyer të gjykatës me mjekë që nuk e pranojnë fajin”, u shpreh Jilldiz Veaposka -e dëmtuar.

Sipas aktakuzës, gjatë operacionit cezarian i është dëmtuar arteria renale e majtë, por mjekët nuk kanë marrë asnjë masë për të përcaktuar shkaqet, por vetëm i kanë dhënë terapi, e cila e ka përkeqësuar edhe më shumë gjendjen dhe Jilldizi ka rënë në shok. I akuzuari i parë, ish-drejtori i spitalit të Strugës, Muhamed Asani, pas daljes nga salla e gjyqit nuk ka dashur të deklarohet ashtu si edhe avokati i tij. Gjykimi do të vazhdojë më 10 mars. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button