Ratko Mlladiç është shtruar në spital në Hagë në gjendje të keqe shëndetësore

Ish-komandanti ushtarak i serbëve të Bosnjës, ish-gjenerali i Ushtrisë Popullore Jugosllave (JNA), Ratko Mlladiç, i cili po vuan dënimin e përjetshëm në Hagë për krime lufte, është shtruar në spital dhe është në “shëndet të keq”, tha djali i tij Darko Mlladiç për AFP. .

Në një bisedë të shkurtër telefonike me AFP në Beograd, Darko Mlladiq ka konfirmuar informacionin në mediat serbe. Ai tha se babai i tij është shtruar në spital prej një jave për shkak të shëndetit të brishtë. Ai fillimisht ishte në një spital civil në Hagë dhe që nga e enjtja ndodhet në objektin shëndetësor të burgut të Mekanizmit Ndërkombëtar të Mbetur për Drejtësi Penale (MTPI) me seli në Hagë.

“Shëndeti i tij është i keq. Këtu në Serbi, një ekip mjekësh është gati të shkojë dhe ta shohë, por ende nuk e dimë nëse do t’i lejohet ta bëjnë këtë. Ne do të kërkojmë që këta mjekë ta ekzaminojnë atë,” i tha AFP Mlladiç Jr.

Shërbimet e MTPI, të pyetur nga AFP për të komentuar këtë informacion, janë përgjigjur se “nuk mund të komentojnë gjendjen shëndetësore të një të dënuari, pasi është informacion konfidencial”.

Në qershor 2021, MTPI la në fuqi dënimin e përjetshëm të Ratko Mlladiqit për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të kryera gjatë përleshjeve ndëretnike në Bosnje dhe Hercegovinë nga viti 1992 deri në vitin 1995. Ai u shpall fajtor për gjenocid për rolin e tij në masakrën e Srebrenicës në korrik 1995, kur forcat serbe të Bosnjës vranë rreth 8,000 burra myslimanë. Beogradi zyrtar pranon se është një krim i tmerrshëm lufte, por se nuk është gjenocid dhe se numri i viktimave, të cilët sipas tyre kanë qenë kryesisht ushtarë të ushtrisë boshnjake në konflikt, është ekzagjeruar disa herë.

Darko Mlladiç u tha disa mediave në Serbi dhe Bosnje-Hercegovinë se babai i tij vuan nga “inflamacioni i mushkërive, akumulimi i lëngjeve në mushkëri dhe dështimi i zemrës”.

“Ne nuk e dimë se cilat janë shkaqet e dështimit të zemrës dhe nëse Ratko Mlladiç mund të ketë pësuar një atak të lehtë në zemër. Nuk i morëm gjetjet nga analizat”, tha djali i tij për Novosti të Beogradit.

Sipas të njëjtit burim, Ratko Mlladiç ishte i sëmurë me Covid-19 në fillim të gushtit, por “pa simptoma serioze”.

Darko Mlladiç deklaroi gjithashtu se që nga maji, shëndeti i babait të tij është “përkeqësuar në mënyrë dramatike”. “Është në një situatë të vështirë dhe më duket se është në rrezik për jetën. Ne nuk mund të funksionojmë të pavarur dhe ai ka nevojë për kujdes”, shtoi ai.

Ekspertët mjekësorë rusë, deklaratat e të cilëve u referuan nga mbrojtja e Ratko Mlladiç gjatë gjyqit në vitin 2016, deklaruan se ai kishte pësuar disa goditje të lehta në të kaluarën që shkaktuan kolapsin e sistemit nervor.

LEXO EDHE:

Back to top button