Reagimi i diplomacisë bullgare ndaj Ligjit për shoqatat

Reagimi i diplomacisë bullgare ndaj Ligjit për shoqatat

Gazetar: Lluka Andreev

Për Sofjen zyrtare ndryshimet e miratuara në Ligjin për Shoqatat pengojnë zbatimin efektiv të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë. Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë bëri të ditur se ekziston një shqetësim i fortë sepse, siç thekson, ekziston rreziku i kufizimit të së drejtës së bashkimit të bullgarëve në vend.

“Ne presim që autoritetet në Republikën e Maqedonisë së Veriut të garantojnë të drejta dhe liri të barabarta për të gjithë qytetarët e saj, përfshirë ata që e identifikojnë veten si bullgarë. Kjo i referohet shprehjes së lirë të pikëpamjeve dhe besimeve të tyre historike në kushtet e një shoqërie pluraliste, si dhe mundësisë së krijimit të partive politike, shoqatave dhe qendrave kulturore”, thonë nga MPJ e Bullgarisë.

Nga diplomacia bullgare komentojnë edhe për Trupin e sapoformuar Konsultativ në Ministrinë e Drejtësisë, i cili do të vendosë nëse emri i një shoqate të caktuar lidhet me fashizmin.

“Shtrohet pyetja e imponimit të një qasjeje në interpretimin e figurave dhe ngjarjeve historike bazuar ekskluzivisht në interpretimin zyrtar dominues në Maqedoninë e Veriut. Kjo qasje shpjegon pse nuk ka dëshirë për të zhbllokuar punën e Komisionit të Përbashkët Historik”, njoftojnë nga MPJ e Bullgarisë.

Deputetët e shumicës dhe të opozitës votuan të martën ndryshimet që nëse shoqatat e krijuara nuk ndryshojnë emrin brenda tre muajve, Ministri i Drejtësisë është përgjegjës për fshirjen e tyre nga Regjistri Qendror. Këto ndryshime pasuan pas hapjes së klubeve kulturore bullgare në Manastir dhe Ohër, me emrat e figurave kundërthënëse nga e kaluara, të lidhura me fashizmin – “Ivan Mihailov” dhe “Car Boris III”./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button