Regjistri i pedofilëve, jashtë funksionimit

Regjistri i pedofilëve, jashtë funksionimit

GAZETAR: ARDIT RAMADANI

“Në Maqedoninë e Veriut ka rreth 300 pedofil të regjistruar, edhe pse pjesa më e madhe e tyre janë në liri, ueb-faqja ku mund të shohim se kush janë ato me qëllim të ndërmarrjes së masave parandaluese për mbrojtjen e fëmijëve ka kohë që nuk është funksionale ndërsa në vend, çdo vit ka dhjetëra sulme seksuale ndaj fëmijëve”.

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jovanka Trencevska thotë se bëhet fjalë për problem softuerik, ndërsa premtoi se regjistri do të jetë funksional shumë shpejt, shkruan Alsat.

“I gjithë sistemi po përditësohet vazhdimisht. Në një periudhë të caktuar, sistemi, në përputhje me të dhënat të cilat i marrim nga institucionet e përfshira, ka përditësim, momentalisht kemi problem softuerik dhe po punojmë në rregullimin e tij dhe shpresojmë që shumë shpejtë do të jetë përsëri në funksion”tha Jovanka Trençevska, ministre e Punës dhe Politikës Sociale.

Sipas profesoreshës së të Drejtës Penale, Vedije Ratkoceri, mirëmbajtja dhe funksionimi normal i regjistrit është tejet i rëndësishëm, pasi asnjëherë nuk dihet momenti kur dikujt i duhet që të kontrollojë nëse një person mund të jetë rrezik potencial për fëmijët.

“Qëllimi i këtij regjistri e ka karakterin parandalues, ka për qëllim që çdo prind, kujdestar apo person i interesuar gjithmonë kur ka dyshime, ose edhe pa pasur dyshime, por dëshiron që të ndërmerr masat parandaluese që fëmija i tij të mos bie pre e ndonjë abuzuesi seksual, të kontrollojë këtë regjistër mos vallë personi i cili ka kontakt me fëmijën është i regjistruar, mund të jetë mësuesi, trajneri, arsimtari, fqinji i ri që ka ardhur në lagje”u shpreh Vedije Ratkoceri, profesoreshë në UEJL.

Vetëm katër vitet e fundit ka pasur gjithsej 127 krime kundrejt fëmijëve, edhe atë sulme seksuale ndaj fëmijëve që nuk kanë mbushur 14 vjet, prezantim të materialit pornografik të fëmijëve, prodhim dhe shpërndarje të pornografisë fëmijërore. Regjistri i Pedofilëve për herë të parë u vendos në funksion në vitin 2012 .\Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button