Regjistrimi i popullsisë, proces politik ose statistikor?

Dilemat rreth çështjes a është regjistrimi i popullsisë proces statistikor ose politik, nuk janë shuar akoma.
Politikanët të cilët miratuan ligjin për regjistrim dhe ranë dakord për mbajtjen dhe shtyrjen e procesit deri tani, kanë qëndrime të ndryshme në këtë temë. Të dhënat nga regjistrimi do të ndahen në tre kategori kryesore, popullsi rezidente, popullsi jorezidente dhe popullsi e përgjithshme, e që është shuma e dy kategorive të para.

Megjithatë, në cilat të dhëna do të bazohet krijimi i politikave të ardhshme ekonomike, sociale por edhe karakteristika të tjera si ajo e përfaqësimit të drejtë dhe etnik, akoma ka dilema. Nga BDI-ja thonë se të dhënat nga regjistrimi i diasporës, bashkë me ato të popullsisë rezidente, do të jenë baza e të dhënave për vendosjet ndëretnike.

Kushtetuta përcakton korpusin e të drejtave etnike, mundësisë së shprehjes dhe karakteristika të atributeve kulturore, etnike, të bashkësive etnike, në bazë të numrit të përgjithshëm të popullsisë. Kjo nënkupton që edhe politikat ekonomike, edhe politikat e zhvillimit rajonal do të jenë në bazë të popullsisë së përgjithshme. Natyrisht se do të ketë politika të cilat për arsye praktike do të bazohen në numrin e popullsisë rezidente për shkak të prakticitetit të vendimmarrjes, a duhet një klasë apo dy klasa, do të varet prej asaj se sa do të ketë fëmijë në ato klasa -tha Bujar Osmani, BDI.

Ky qëndrim nuk është në një linjë me atë të kryeministrit Zoran Zaev, i cili muaj më parë kishte deklaruar se të dhënat e popullsisë rezidente, do të jenë ata ku do të bazohen institucionet.

Sigurisht se të dhënat të cilat i marrim për qytetarët që jetojnë këtu, gjegjësisht që janë popullsi rezidente, janë të dhëna që hynë në përdorim. Sepse, Prilepin, për shembull, e zhvillojmë në bazë të numrit të popullsisë që jeton këtu. Sipas atij numri parashikojmë që duhen çerdhe, se ku janë të nevojshme shkolla, sa ka nevojë për kapacitete të reja industrial, për çfarë kapacitetesh, çfarë profilesh dhe lloji arsimimi ekziston tek qytetarët të cilët janë të papunësuar por edhe të punësuar – deklaroi Zoran Zaev, kryeministër.

Nuk është e qartë nëse kryeministri e ka pasur fjalën vetëm për politikat lokale të zhvillimit, ose edhe për ata shtetërore. Zaev në debatin televiziv për “Kanal 5”, se bashku me kreun e opozitës Mickoskin, debatuan edhe për këtë pjesë.

Si është në botë ashtu edhe tek ne. Sipas Eurostat, të gjithë ata janë qytetarët tanë sepse kanë shtetësi. A jetojnë në shtëpi ose jetojnë jashtë, të gjithë hynë në regjistrim dhe bëhet ndarje dhe kufizim i qartë, rezidentë dhe jorezidentë. Jorezidentë ose ata që nuk jetojnë për një kohë të gjatë këtu, janë ata që jetojnë më gjatë se një vit jashtë vendit. Bëhet kufizim i qartë – u shpreh Zoran Zaev, kryeministër.

“Këtë e flasim ne gjithë kohën z. Zaev. Këtë që e thoni ju tani. Ky është operacion statistikor dhe kjo që thoni tregon kush janë rezidentë dhe kush nuk janë rezidentë. Këtë e thotë tani më në fund pas një viti ose dy”, theksoi Hristijan Mickoski, kryetar i opozitës.

VMRO-DPMNE-ja kishte kërkuar që pushteti të mos e njohë procesin e diasporës si regjistrim por thjeshtë si evidentim. Këtë pushteti teorikisht nuk e kishte pranuar. Por, nëse të dhënat e diasporës nuk merren parasysh gjatë krijimit të politikave vendore, atëherë mbetet e paqartë se ku qëndron dallimi mes termit regjistrim dhe evidentim.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button