Rejtingu i ulët, pushteti s’pranon zgjedhje të reja

Rejtingu i ulët, pushteti s’pranon zgjedhje të reja

Gazetare: Fatlume Dervishi 

Nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme dhe nuk do të ketë rikonstruim i qeverisë, thotë kryeministri Dimitar Kovaçevski, pas komentimit të rezultateve shqetësuese të anketës së fundit të IRI-it dhe pas takimeve të intensifikuara me qytetarët në formën e aktiviteteve që ngjajnë me fushatën zgjedhore. Kryeministri thotë se zgjedhje parlamentare do të ketë në vitin 2024, pas zgjedhjeve presidenciale. Ai shton se anketa është bërë vetëm pak muaj pas ardhjes së tij në krye të ekzekutivit dhe në periudhën kur manipulimi i opinionit për propozimin francez kishte pasur ndikimin e tij.

“Nëse shohim rejtingun politik, atëherë edhe ai është respektabil duke pasur parasysh periudhën 10 mujore të drejtimit me qeverinë. Sa i takon gjyqësorit nuk do të përgjigjesha. Përfundimet duhet t’i shërbejnë secilit që preket ajo anketë që ta moderojë strategjinë dhe punën e tij në të ardhmen. Vlerësoj se politikat të cilat i ka kjo qeveri dhe partia ime do të sjellin rezultate shumë më të mira në anketën e ardhshme”, u shpreh Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Sipas anketës së fundit të IRI-t, 58 për qind e qytetarëve mendojnë se shteti po shkon në drejtim të gabuar, kurse 56 për qind e qytetarëve nuk i mbështesin ndryshimet kushtetuese dhe përfshijen e bullgarëve në Kushtetutë. VMRO-DPMNE-ja kërkon zgjedhje të parakohshme për zgjidhjen e shumë problemeve të qytetarëve dhe konfirmon se nuk do t’i mbështesë ndryshimet kushtetuese.

“Jo vetëm në atë anketë. Ne bëjmë disa anketa në muaj dhe ata janë të qarta se për momentin me këto kushte, me këto rrethana dhe me diktat bullgar, nuk ka ndryshim të Kushtetutës. Është shumë e thjeshtë”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE.

Anketa e fundit e IRI-t tregoi se vetëm 4 për qind e qytetarëve kanë besim te Gjyqësori, kurse vetëm 3 për qind i besojnë Prokurorisë Publike. Vetëm 4 për qind e qytetarëve u besojnë partive politike dhe Kuvendit, 7 për qind i besojnë qeverisë kurse 8 për qind opozitës. Anketa e IRI-t vuri në dukje se ish kryeministri Nikolla Gruevski, gëzon mbështetjen e 7 për qind të të anketuarve, duke lënë pas të gjithë liderët e partive politike në vend. Kovaçevski gëzon mbështetjen e 5 për qind kurse Mickoski të 6 për qind të qytetarëve./Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button