Rreth 300 pacientë me sëmundje të gjakut, përballen me mungesë të terapisë
Rreth 300 pacientë me sëmundje të gjakut, përballen me mungesë të terapisë

Gazetare: Linda Ebibi
Pacientët me hemofili po përballen me mungesë të terapisë, konkretisht që nga muaji tetor i vitit të kaluara terapia e tyre është nga fundi dhe ajo që ka mbetur shfrytëzohet për pacientët më kritikë. Nga shoqata Hemollog thonë se kanë gjashtë muaj që kanë ngritur zërin për këtë problematikë dhe ende nuk është bërë furnizimi i nevojshëm i barnave, ndërsa kërkojnë që dy preparatet novatore të vendosen në listën pozitive.
“Ne kemi probleme të mëdha, ende nuk kemi faktorë(ilaçe) të duhur që janë për hemofilinë. Nga Tetori kemi thënë se do të ketë mungesë, do të ketë probleme dhe gjithnjë shtyhej se do të bëhet tenderi. Më pas gjetëm mirëkuptim në ministrinë e shëndetësisë, dhe tek fondi shëndetësor, por sot është 28 prilli dhe ende nuk kemi faktorë dhe për momentin po trajtohemi me terapi jo të duhur”, tha Cvetanka Naqeska, kryetare e Shoqatës Hemollog.
Drejtori i Fondit Shëndetësor, Sasho Klekovski tha se këtë vit kanë rritur buxhetin për pacientët hemofilikë, ndërsa tenderi dhe prokurimi publik është kryer në kohë, për këtë sot do të kryejnë kontrolle shtesë për të parë se ku është problemi.
“Problemi me vazhdimësinë në qasjen e terapive, qartazi është problem në shumë zona, dhe të gjithë së bashku duhet ta rrisim trysninë në ekzekutimin operativ të punimeve. Pas ankesave që i morëm nga pacientët e shqetësuar ne kemi kërkuar që sot të bëhen kontrolle që të shohim ku është problemi, pasi prokurimi publik është bërë dhe nuk do duhej të kishte probleme procedurale”, u shpreh Sasho Klekovski, drejtor i Fondit Shëndetësor.
Pacientët kërkojnë ndihmë nga autoritetet shëndetësore për këtë situatë të krijuar dhe të jenë më të vëmendshëm pasi siç thonë sëmundjet gjenetike janë të rrezikshme, dhe vazhdimisht jetojnë më frikë.
“Mund të them se tani në këto kushte që sot i kemi nuk kemi jetë kualitative, jetojmë në frikë…Kjo do të thotë se ne si pacientë frikësohemi pasi me ndryshimin e preparateve mund të krijohen anti trupa, ne edhe ashtu nuk kemi jetë kualitative dhe për këtë do i lusja të gjithë faktorët relevantë në këtë shtet të jenë të vëmendshëm tek pacientët me hemofili”, deklaroi Svetllana Stefanoska, paciente.
Aktualisht në vend 250 persona deri në 300 vuajnë nga sëmundja e hemofilisë, sëmundje e gjakut. /Alsat.mk