Rritet numri i të prekurve nga Tularemia, sëmundje që bartet nga minjtë
Rritet numri i të prekurve nga Tularemia, sëmundje që bartet nga minjtë

Gazetare: Ajnur Bafqari
Edhe pse në dy vitet e fundit nuk kishte të regjistruar asnjë rast, vetëm në gjysmën e parë të këtij muaji, dhjetëra persona kanë rezultuar pozitiv ndaj testit të TULAREMISË. Tularemia është një sëmundje e brejtësve, siç janë minjtë, e që transferohet tek njerëzit përmes ujit apo ushqimit të kontaminuar. Nga Instituti i Shëndetit Publik, thonë se po e ndjekin nga afër situatën dhe nuk ka nevojë për panik.
“Tularemia është infeksion bakterial, që transferohet nga brejtësit, rrezik më të madh kanë ata që janë gjuetarët, blegtorët, peshkatarë dhe kështu me radhë, sipas profesionit. Por kjo nuk nënkupton se edhe të tjerët nuk mund të preken. Normalisht nëse shfrytëzojnë ujë të pasigurt për pije, jetojnë në kushte johigjienike, kanë qenë në kontakt me prodhime të kontaminuara dhe të ngjashme. Por nuk ka hapësirë për panik, situatën e ndjekim dhe të gjithë ata që vijnë si të dyshuar testohen, ka testime edhe në qendrat e tjera, kështu që e ndjekim gjendjen”, tha Marija Andonovska, Drejtore e Institutit të Shëndetit Publik.
Drejtorja e Institutit të Shëndetit Publik, Marija Andonovska tregon se cilat janë simptomat e këtij infeksioni.
“Pasqyra klinike, zakonisht paraqitet ënjtje e nyjave limfatike, ka ndezje dhe dhimbje në fyt, bajamet, kokëdhimbje, dobësi dhe me siguri mjeku amë sipas këtyre simptomave mund ta njoh tulareminë, ose të udhëzojë për testim të mëtejshëm”, shtoi ajo.
Sëmundja te njerëzit paraqitet kryesisht në mënyrë sporadike dhe rrallëherë mund të ketë forma epidemike, por autoritetet shëndetësore bëjnë thirrje që të ndiqen rekomandimet, të ketë praktikë të mirë higjienike, të përdoret ujë dhe ushqim i sigurt./Alsat.mk