Rusia bombardon qytetin e Odesës, 19 viktima

Rusia bombardon qytetin e Odesës, 19 viktima

Gazetar: Shkelzen Aqifi

Sulmet ruse me raketa që goditën ndërtesat e banimit dhe një qendër rekreacioni në rajonin e Odesës duke shkaktuar 19 viktima dhe duke lënduar dhjetëra të tjerë. Videoja e sulmit tregoi rrënojat e djegura të ndërtesave në Odesa.

Sulmi në Odesa pason tërheqjen e forcave ruse nga Ishulli i Gjarprit, një ishull kyç i Detit të Zi. Por, forcat ruse vazhduan ofensivën e tyre për të rrethuar bastionin e fundit të rezistencës në provincën lindore të Luhanskut. Sipas deklaratës së një gjenerali ukrainas, Rusia ka goditur 68 objekte civile në gjysmën e dytë të qershorit. Kremlini ka hedhur poshtë raportet e zyrtarëve ukrainas se raketat ruse goditën zonat e banuara në Odesa dhe përsëriti pretendimet se Moska nuk shënjestron civilët”

Ndërkohë në Parlamentin e Ukrainës në Kiev, presidenti Volodymyr Zelenski, kryeministri Denys Shmyhal dhe kryetari i parlamentit Ruslan Stefanchuk kanë nënshkruar një deklaratë mbi synimin e vendit për t’u anëtarësuar në BE.

Zelenskyy iu drejtua deputetëve duke thënë se Ukraina po lufton për të “parandaluar mëngjese të tilla tragjike si sot me një sulm raketor rus në Odesa me viktima të shumta”.

“Ukraina po lufton për zgjedhjen e vlerave të saj: të jetë një shtet i pavarur në një familje të madhe, në një familje të lirë, një shtet i ri në një familje evropiane. Ukrainasit duhet të mbrojnë pavarësinë e tyre me armë në dorë. Sigurinë e secilit prej njerëzve tanë. Për të parandaluar mëngjese të tilla tragjike si sot – me një sulm raketor rus në Odesa, me viktima të shumta dhe për t’i bërë mëngjeset ukrainase po aq paqësore sa mëngjeset e çdo kryeqyteti evropian tani, në shekullin e 21-të”, tha Volodomyr Zelenski, President i Ukrainës.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se Ukraina tashmë ka një “perspektivë shumë të qartë evropiane” pas vendimit të Bashkimit Evropian për t’i dhënë statusin e vendit kandidat.

“Ukraina tani ka një perspektivë shumë të qartë evropiane. Dhe Ukraina është një vend kandidat për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian diçka që dukej pothuajse e paimagjinueshme vetëm pesë muaj më parë. Pra sot është para së gjithash, një arsye për të festuar këtë moment historik”, theksoi Ursula von der Lejen, Presidente e Komisionit Europian.

Fjalimi i Von der Leyen solli duartrokitje në parlamentin e Ukrainës dhe shihet si një sukses i qeverisë së Presidentit Volodymyr Zelensky mbi përpjekjet e tyre për t’u bërë kandidatë për anëtarësim në BE.

Ajo nënvizoi se Brukseli dhe shtetet anëtare të BE-së mbështesin Ukrainën në luftën e saj ndaj pushtimit rus dhe në përpjekjet për “tu ribashkuar me familjen evropiane.”

Von der Leyen i bëri thirrje parlamentit ukrainas që të votojë ligjet në përputhshmëri me normat e promovuara nga Këshilli i Evropës për të përmirësuar procedurat e përzgjedhjes të gjykatësve të pavarur të Gjykatës Kushtetuese. Ukraina aplikoi për anëtarësim në BE, vetëm pesë ditë pasi Rusia nisi pushtimin e saj në 24 shkurt, ndërsa 27 vendet anëtare pranuan t’i jepej statusi i kandidatit më 23 qershor, në një sinjal të fortë mbështetjeje ndaj vendit./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button