Rusia godet me raketa Odesën, portin më të madh të Ukrainës

Forcat ruse goditën me raketa portin e Odesës, me sa duket për të ndërprerë rrugët e furnizmit të Ukrainës me armë.

Sipas zyrtarëve ukrainas sulmi ka ndodhur të hënën dhe raketat kanë goditur një qendër tregtare si dhe një magazinë. Një person humbi jetën dhe 5 janë plagosur.

Sipas zyrtarëve ukrainas, një pjesë e raketave kanë qënë të vjetra, të epokës sovjetike, ndërsa disa kanë qënë raketa moderne hipersonike.

Zyrtarë ukrainas, britanikë dhe amerikanë, thonë se Rusisë po i mbarojnë me shpejtësi armët me precision të lartë, duke shtuar rrezikun që të përdorë raketa të zakonshme, që mund të shkaktojnë më shumë dëme.

Që kur Presidenti Putin nuk arriti të merrte Kievin në ditët e para të luftimeve, ai e ka kthyer vëmendjen nga rajoni industrial i Donbasit në lindje dhe sipas disa ekspertëve, synimet e Moskës mund të përfshijnë edhe shkëputjen e plotë të Ukrainës nga brigjet e saj në Detin e Zi.

Kjo do t’i jepte Rusisë mundësinë të lidhej përmes tokës si me Gadishullin e Krimesë, që e aneksoi në vitin 2014, ashtu edhe me Transdnistrian, rajonin separatist të Moldavisë.

Edhe në se Rusia nuk do të arrinte ta shkëpuste Ukrainën nga Deti i Zi dhe duket, se ajo nuk i ka forcat e nevojshme për ta bërë këtë, vazhdimi i goditjes së Odesës me raketa, pasqyron rëndësinë e këtij qyteti si një pikë nevralgjike transporti.

Odesa, porti më i madh i Ukrainës, është gjithashtu pika kryesore nga eksportohet gruri dhe bllokada e Rusisë ka shkaktuar tashmë vështirësi në furnizimin global me drithëra.

LEXO EDHE:

Back to top button