Samiti për klimën, pjesëmarrësit: Ndryshimet klimatike po e bëjnë të veten
Samiti për klimën, pjesëmarrësit: Ndryshimet klimatike po e bëjnë të veten
Gazetare: Xhesika Sallahi
Liderë shtetesh, ministra dhe zyrtarë të tjerë prej gati 200 shteteve të botës janë mbledhur në Azerbajxhan për t’i ndjekur punimet e Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike. Në fokus janë parandalimi i ngrohjes globale dhe pasojat e saj vdekjeprurëse.
“Programi mjedisor i OKB-së tregon se politikat aktuale po na çojnë në tre shkallë ngrohjeje. Këto temperatura do të ishin katastrofike për miliarda. Ndryshimet klimatike janë tashmë këtu. Nga shtëpitë e përmbytura në Spanjë deri te zjarret në pyje në Australi, nga rritja e oqeaneve në Paqësor e deri te fushat jo pjellore në Afrikën Lindore. Njerëzit po vuajnë në hije”, deklaroi Mukhtar Babayev, president i COP29.
Në këtë konferencë dyjavore pritet të adresohen përkushtimet financiare për shtetet e varfra që janë prekur nga ndryshimet klimatike. Shtetet në zhvillim presin nga shtetet e pasura që të mobilizohen për t’i ndarë të paktën 1 trilion dollarë në vit, nga taksat e të pasurve apo burime të tjera të ardhurash.
“Ne duhet të biem dakord me një qëllim të ri global të financimit të klimës. Investimet e energjisë së pastër dhe infrastrukturës do të arrijnë në 2 trilionë dollarë në vitin 2024, pothuajse dyfishi i atij të karburanteve fosile”, tha Simon Stiell, sekretar i Kombeve të Bashkuara për Klimën.
Nga ana tjetër, organizatat joqeveritare shqetësohen se samiti i njohur si Konferenca e Palëve, apo COP29, do të mbetet në hije nga fitorja e Donald Trumpit si president amerikan. Pas fitores së tij në zgjedhjet e vitit 2016, ai pati urdhëruar largimin e Shteteve të Bashkuara nga Marrëveshja e Parisit për Klimën. Sipas analizës së Organizatës Botërore Meteorologjike, 2024 është në rrugë për të qenë viti më i nxehtë i regjistruar. /Alsat.mk