Saraçini: Liria e mediave përballet me sfida e probleme të shumta

Saraçini: Liria e mediave përballet me sfida e probleme të shumta

Në debatin e Institutit për Media dhe Analitikë u theksua se komuniteti mediatik duhet të organizohet dhe të del me rekomandime konkrete për mënjanimin e ndikimit politik partiak, por edhe për luftimin e dezinformatave, ndërsa hapi i parë do të ishte ndryshimi i Kodit të Gazetarëve që do të përshtatej me rrjedhat e reja në fushën e medias. Sipas redaktores në Alsat, Arta Tahiri të shpeshta janë rastet kur gazetarët hasin në dyer të mbyllura të institucioneve ose drejtuesve të tyre. “Ndodh që pikërisht partitë politike që e kanë gojën plot liri të medias, heshtazi të bojkotojnë media të caktuara, madje duke refuzuar pjesëmarrjen në debate ose duke vënë kushte për pjesëmarrje”, tha Tahiri. Ndërkohë Petrit Saraçini nga Instituti për Media dhe Analitikë foli për ndikimet dhe presionet politike, propagandën por edhe dezinformatat në nivel global, gjë e cila u konstatua edhe në raportin e fundit të “Reporterëve pa Kufij” edhe pse pozita në të cilën ndodhet vendi tani, është më e mirë se në të kaluarën.

“Ka shumë sfida dhe probleme me të cilat ballafaqohet liria e mediave, presionet politike vazhdojnë prej disa përfaqësuesve të pushtetit por edhe prej opozitës, dallohen propaganda politike. Raporti konstaton edhe krijimin e sistemeve paralele mediatike prej partive politike edhe të pushtetit edhe të opozitës. Mungon edhe ballafaqim konzistent dhe strategjik me dezinformatat dhe gjuhën e urrejtjes. Ne kemi ligje në vendin tonë të cilat për fat të keq nuk funksionojnë. Gjyqësia në këtë aspekt, sidomos në ballafaqimin me gjuhën e urrejtjes, shalon”, u shpreh Petrit Saraçini, Instituti për Media dhe Analitikë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button