Scholz: Evropa do të vazhdojë të punojë ngushtë me Trump
Scholz: Evropa do të vazhdojë të punojë ngushtë me Trump
Kancelari gjerman, Olaf Scholz rikonfirmoi sot gatishmërinë e tij për të punuar me presidentin e ardhshëm të SHBA-së Donald Trump, në një samit jozyrtar të BE-së në Budapest.
Scholz theksoi se Evropa duhet të forconte bashkëpunimin në sektorin e sigurisë.
“Ne duhet të punojmë së bashku si Bashkimi Evropian, si evropianë, për të bërë atë që është e nevojshme për sigurinë tonë”, tha ai.
“Kjo do të jetë e suksesshme nëse të gjithë luajnë rolin e tyre”, shtoi Scholz.
Kancelari gjerman nënvizoi se këtë vit, për herë të parë në disa dekada, Gjermania po shpenzonte më shumë se 2% të prodhimit të saj të brendshëm bruto (PBB) për mbrojtje.
“Të tjerë duan ta bëjnë këtë dhe do ta ndjekin shembullin”, tha ai.
Scholz zhvilloi një bisedë telefonike me Trump të mërkurën, menjëherë pas fitores së tij në zgjedhjet presidenciale, duke i ofruar Trump një partneritet të besueshëm.
“Evropa do të vazhdojë të punojë gushtë me presidentin e ardhshëm amerikan”, tha ai pas takimit joformal të liderëve të BE-së, në Budapest.