Seanca e Komisionit për politikë të jashtme sërish me tensione të reja   

Seanca e Komisionit për politikë të jashtme sërish me tensione të reja   

Gazetar: Lluka Andreev

Me tone të larta dhe me akuza të ndërsjella mes deputetëve ka përfunduar seanca e sotme e Komisionit për politikë të jashtme, ku dëgjohen kandidatët për ambasadorë, shkruan Alsat.

Tensionet u shkaktuan në momentin kur deputeti i VMRO-së Dragan Kovaçki, si kryesues i komisionit, për ta ndërprerë seancën pa arsye, edhe pse vetëm kandidati për në Bruksel, Metodia Belevski, mbeti të prezantojë ekspozenë.

“Ambasadorët janë thirrur dhe kanë ardhur disa herë këtu për të punuar në Komision, por Komisioni është ndërprerë për arsye të pakuptueshme nga deputeti dhe kryetari i Komisionit Milloshoski kurse sot edhe nga deputeti Kovaçki. Kjo është sjellja hipokrite e VMRO-DPMNE-së, e cila tregon fytyrën e vërtetë se qëllimi i tyre i vetëm është frenimi dhe bllokimi i shtetit në çdo fushë, përfshirë politikën e jashtme”, tha Mile Talevski– deputet i LSDM-së.

Për momentin nuk ka asnjë njoftim se kur do të vazhdojë Komisioni. Në seancën e sotme është dëgjuar Agron Buxhaku, ambasadori i ri në Otavë, i cili ka paralajmëruar se do të punojë për koordinim më të madh të shoqatave të maqedonasve dhe shqiptarëve në Kanada. Filtrin parlamentar e kaloi edhe Driton Kuçi, i cili do të angazhohet për ngritjen e një stacioni bazë në Oslo, në mënyrë që qytetarët tanë të mos kenë pengesa për nxjerrjen e dokumenteve. Kuçi njoftoi gjithashtu forcimin e bashkëpunimit ekonomik me Norvegjinë ndërsa këshilla mori edhe nga opozita.

“Pres që gjatë mandatit tim të favorizojmë dhe thellojmë këtë dimension për tërheqjen e investimeve të huaja në vendin tonë, por edhe prezencën e kompanive tona në tregun norvegjez”, u shpreh Driton Kuçi– ambasador në Norvegji.

“Unë besoj se diplomacia arsimore dhe ajo kulturore janë instrumente shumë të fuqishme që ne nuk i përdorim”, theksoi Gordana Siljanovska Davkova– deputete e VMRO-DPMNE-së.

Lidhur me shtyrjen e djeshme të seancës për përzgjedhjen e ambasadorëve, deputeti Milloshoski akuzoi se problemi është në Ministrinë e jashtme, sepse me kërkesën e tyre seanca e Komisionit ka qenë e mbyllur, ndërsa deputetët e BDI-së nuk kanë pasur certifikatë sigurie.  MPJ ka kërkuar dje që seanca të jetë e hapur për publikun. Më herët, Osmani ka akuzuar se zvarritja e këtij procesi nga opozita, veçanërisht pa nevojë dhe pa arsyetim, paraqet handikap të thellë politik për politikën e jashtme./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button