Seancë ndërqeveritare Shkup-Tiranë, Rama: Vetëm ligësia krijon probleme në vend

Seancë ndërqeveritare Shkup-Tiranë, Rama: Vetëm ligësia krijon probleme në vend

Gazetare: Fatlume Dervishi

21 memorandume dhe marrëveshje bashkëpunimi u firmosën mes funksionarëve të ekzekutivit të qeverisë së vendit dhe asaj shqiptare në kuadër të seancës së dytë të përbashkët ndërqeveritare. Dy kryeministrat Dimitar Kovaçevski dhe Edi Rama thanë se marrëveshjet mes tjerash përfshinë ndërtimin e infrastrukturës së përbashkët për gaz natyror dhe energji të rinovueshme, lidhje rrugore përmes Korridorit 8, ndërtimin e një Porti të thatë në Strugë dhe hapjen e një vendkalimi të ri kufitar Strugë-Pogradec.

Rama tha se marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve s’kanë qenë kurrë më mirë dhe se vendet tashmë janë në një fazë të re të afirmimit të vendit të tyre në familjen evropiane. Të pyetur për ndryshimet kushtetuese, të dy kryeministrat ishin vrazhdë ndaj opozitës.

“Dhe një njëri pa qëndrim, pa vizion dhe pa vendosmëri mund të merret lehtë peng. Kjo ndodh për momentin në opozitën maqedonase. Vlerësoj se një piromani të tillë politik nuk duhet t’i lejohet ta pengojë rrugën evropiane të vendit. Jo 80, as 90, as 100. Në Kuvend ka 120 deputetë dhe të gjithë kanë përgjegjësi, jo para meje, jo para qeverisë, kanë përgjegjësi para fëmijëve të tyre”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

“Ndryshimet e kërkuara në këtë rast për Maqedoninë e Veriut dhe të dakordësuara, më duket se vetëm ligësia, dritshkurtësia dhe patriotizmi i shtirur mund t’i kthejnë në arsye për t’u përçarë mes veti dhe në arsye për të krijuar përsëri probleme në këtë vend ndërkohë që ky vend ka nevojë të vrapojë njësoj si të gjitha vendet e tjera për të kapur kohën e humbur”, tha Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.

Nisma e Ballkanit të Hapur ka sjell rezultate në rritjen e shifrave të importit dhe eksportit, tha kryeministri Rama. Pavarësisht se të njëjtat marrëveshje të Ballkanit të Hapur të firmosura mes tre vendeve, Maqedoni e Veriut – Shqipëri -Serbi, u firmosën edhe mes liderëve të gjithë rajonit në kuadër të Procesit të Berlinit, Rama dhe Kovaçevski qëndrojnë edhe më tej në mbrojtje të nismës.

“Nuk kishte konfirmim më të madh kur mes shteteve ekzistonin ndalesa për eksport të ushtrimit, por Serbia e hoqi ndalesën për eksportimin e grurit për shtetin tonë, dhe ne e hoqëm ndalesën për eksportin e vajit për ushqim për Shqipërinë. Për miratimin e këtyre vendimeve nuk ishin të nevojshme as takime të gjata, as seanca qeveritare dhe as konferenca. Mjaftoi vetëm një thirrje telefonike nga unë te presidenti i Serbisë, ose nga kryeministri i Shqipërisë te unë”, theksoi Kovaçevski.

“Ja vlen edhe më shumë sepse kështu ndërrojnë vendin lokomotiva me vagonët. Procesi i Berlinit është një lokomotivë që ka tërhequr të gjithë liderët e rajonit dhe rajonin në një rrugëtim të ri kurse në një mënyrë të caktuar ajo lokomotivë u mor peng nga vagonët. Ne praktikisht e kemi shtyrë procesin përpara”, tha Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.

Kjo ishte seanca e dytë ndërqeveritare mes dy vendeve. E para ishte mbajtur pesë vjet më parë, në dhjetor të vitit 2017. Disa prej marrëveshjeve të firmosura në atë kohë, nuk kanë gjetur zbatim akoma. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button