Senatorët amerikanë: Kina po kryen gjenocid ndaj ujgurëve

Një grup senatorësh amerikanë kanë prezantuar një legjislacion, që deklaron se Kina është duke kryer gjenocid kundër ujgurëve dhe grupeve tjera etnike, kryesisht myslimane, në rajonin veriperëndimor të Ksinjiangut.

- Advertisment -

Rezoluta e mban Kinën përgjegjëse sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimeve të Gjenocidit, ka thënë senatori, Jeff Merkley, demokrat nga Oregoni.

“Sulmet e Kinës ndaj ujgurëve dhe grupeve tjera të minoritetit mysliman – përshkallëzimi i vëzhgimit, burgosja, tortura dhe ‘kampet e sforcuara të riedukimit’ – përbëjnë gjenocid, pastër dhe thjeshtë”, ka thënë Merkley.

“Amerika nuk mund të qëndrojë e heshtur”.

Rezoluta është prezantuar nga Merkley, bashkë me senatorët tjerë, John Cornyn, Robert Menendez, James Risch, Marco Rubio, dhe Ben Cardin.

Kjo rezolutë, që synon të nisë procesin e koordinimit për një përgjigjje ndërkombëtare për të ndalur abuzimet ndaj ujgurëve, ka pak mundësi që të miratohet, sepse Senati nuk do të punojë deri pas zgjedhjeve të javës së ardhshme.

Pekini akuzohet për mbajtje të më shumë se 1 milion ujgurëve dhe anëtarëve tjerë të grupeve etnike, kryesisht myslimane, nëpër kampe të përqendrimit dhe burgje tjera nga viti 2017.

Ata besohet se kanë qenë subjekte të abuzimit, disiplinës ideologjike dhe janë detyruar të kritikojnë fenë dhe gjuhën e tyre.

Kina ka thënë se kampet kanë qëllime të riedukimit dhe janë të nevojshme për të luftuar terrorizmin separatist dhe ekstremizmin.

Në korrik të këtij viti, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj disa subjekteve të Qeverisë kineze dhe zyrtarëve të Partisë Komuniste për përfshirjen e tyre të dyshuar në “abuzim serioz të të drejtave të njeriut”, kundër ujgurëve.

LEXO EDHE:

Back to top button