Serbët në Kosovë do të bojkotojnë institucionet shtetërore
Gazetar: Adrian Kerimi
Komuniteti serb protestoi në veri të Republikës së Kosovës, kundër siç thanë ata, shkeljes së Marrëveshjes së Brukselit nga ana e kryeministrit Albin Kurti, për të mos u mbajtur zgjedhjet serbe në territorin e Kosovës, shkruan Alsat.
Mijëra serb u rreshtuan pas kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq i cili tha se pas vendimeve për të suspenduar kryetaren e Gjykatës Themelore të Mitrovicës dhe ndalimin e të drejtës së votës, të gjithë serbet në Kosovë do t’i bojkotojnë institucionet shtetërore.
“I dërgoj një mesazh Albin Kurtit, Policisë së Kosovës se nuk do të na frikësoni. Nuk kërkojmë asgjë më shumë sesa që kanë shqiptarët në Kosovë. Duam paqe. Dua të theksoj se për herë të parë nuk kemi arritur një marrëveshje me presidentin Aleksandar Vuçiq për tu larguar nga institucionet e Kosovës. Edhe sot i kemi kërkuar të njëjtën gjë, por ai ka kërkuar që mos ta bëjmë. Dua të theksojë se të gjithë serbët që punojnë në institucionet e Kosovës duke përfshirë policinë do të pezullojnë punën deri në kthimin e Liljana Stevanoviq”, tha Goran Rakiq, Kryetar i Listës Serbe.
Protesta kishte edhe në Graçanicë të cilat përfunduan brenda pak minutave, pa fjalime politike.
Gjatë ditës kryeministri Albin Kurti i ka dërguar një letër ambasadorit të Bashkimit Evropian në Kosovës, Tomaz Szunyog lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë me 3 prill. Kurti ka thënë edhe se është për keqardhje që derisa Kosova është duke punuar në mirëbesim me BE-në dhe QUNTI-in për të gjetur një zgjidhje reciprokisht të pranueshme ndërmjet qeverive, Serbia po mundohet të përgatit dhe të organizoj zgjedhjet në Kosovë sikur mos të ekzistojë Qeveria e Kosovës.
“Beogradi e përdor termin “votuesit me të drejtë vote” për t’iu referuar serbëve të Kosovës që kanë shtetësi të dyfishtë. Mirëpo, kjo është sipas regjistrit civil të përcaktuar dhe të poseduar nga strukturat komunale ilegale të Serbisë në Kosovë, duke shkelur kështu Kushtetutën dhe ligjet tona. Është me rëndësi që kjo përpjekje të mos legjitimohet nga autoritetet e BE-së apo të OSBE-së”, thuhet në letrën e Albin Kurtit drejtuar ambasasdorit të BE-së, Tomas Szunyog.
Shtetet e QUNIT-it dhe Bashkimit Evropian kanë shprehur shqetësimet për rrezikun nga përshkallëzimi i situatës në Kosovë me nisjen e protestave të paralajmëruar në veri të vendit.
“Shefat e Misionit të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian marrin parasysh demonstratat e planifikuara sot dhe shprehin shqetësimin për rrezikun e përshkallëzimit ose dhunës. Qytetarët kanë të drejtën e tubimit paqësor si dhe përgjegjësinë për të siguruar që tubime të tilla të jenë paqësore dhe të mos bëhen të dhunshme. Ndër vlerat tona të përbashkëta demokratike janë e drejta për tubime paqësore dhe për të dëgjuar zërin tonë, të drejta të cilat zbatimi i ligjit është përgjegjës për t’i mbrojtur”, qëndron në Letrën e QUINT-it.
Gjykatësja në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, Ljiljana Stevanoviq, është suspenduar me vendim të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, pas pjesëmarrjes së saj në Këshillin e Sigurisë së Serbisë dhe takimit me presidentin Aleksandar Vuçiq. Këshilli Gjyqësorë i Kosovës ka njoftuar se vendimi është marrë pa asnjë ndikim politik. Ndërkohë Inspektorati Policorë i Kosovës ka ngritur procedurë ndaj të gjithë pjesëtarëve të policisë të cilët gjithashtu morën pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë në Serbi. Zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Serbi do të mbahen më 3 prill. /Alsat.mk








