Serbia kërkon Asociacion me kompetenca ekzekutive

Në Bruksel është zhvilluar të enjten (29 tetor) një raund i ri i takimeve në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë me pjesëmarrjen e shefave të delegacioneve.

Qeveria e Kosovës ka lëshuar një komunikatë pas këtij takimi, në të cilën thuhet se temë e diskutimit ishte zgjidhja e pretendimeve financiare dhe e çështjeve të pronës midis dy vendeve.

“Në kuadër të kësaj teme, sot është biseduar ekskluzivisht për pensionet dhe kadastrin. Pavarësisht diskutimit të gjatë për këto tema, ende nuk ka përafrim të ndjeshëm të qëndrimeve. Por, megjithatë, është arritur pajtueshmëri që diskutimi i këtij elementi të marrëveshjes së përgjithshme, pretendimeve financiare dhe e çështjeve të pronës midis dy vendeve, të vazhdohet në takimin e radhës”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i cili po merr pjesë në këto takime në emër të palës serbe, u tha mediave në Bruksel se gjatë takimit të së enjtes (29 tetor) ata ngritën çështjen e formimit të Asociacioni të Komunave me shumicë serbe, dhe këmbëngulën në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit, që sipas tij, “është e nevojshme për vazhdimin e dialogut, por edhe për ndërtimin e besimit shumë të nevojshëm midis të dy palëve”.

“Pa formimin e Asociacionit, ne nuk mund të përparojmë në dialog. Ne do të shohim se si pala e Prishtinës do të veprojë tani për këtë çështje. Ajo flet për mundësinë e formimit, siç e ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese, e cila është e papranueshme, sepse për të nuk është rënë dakord në Bruksel, nuk është pjesë e parimeve të dakorduara në vitin 2015. Diçka që mund të quhet OJQ (Organizatë Joqeveritare), nuk na duhet, na duhet një institucion serioz, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive”, tha Petkoviq.

Sipas tij, duke formuar një Asociacion të komunave me shumicë serbe, populli serb në Kosovë mund të “ushtrojë të drejta kolektive që nuk i gëzon tani”.

Ai shtoi se është diskutuar edhe për pronat dhe pretendimet financiare, çështje këto që janë diskutuar edhe në takimin e kaluar.

“Kemi diskutuar për pronat dhe pretendimet financiare për çka kemi këndvështrime të ndryshme, por megjithatë të dyja palët kanë paraqitur qëndrimet e tyre”, tha Petkoviq.

“Ajo që është e rëndësishme për Beogradin është se sa herë që vijmë këtu në Bruksel, jemi të përgatitur plotësisht me ekspertët tanë dhe propozimet tona, si t’i qasemi një problemi të caktuar. Kur bëhet fjalë për pronën dhe pretendimet financiare, ne insistuam që së pari të vendosim parime të qarta dhe mekanizmat për zgjidhjen e kësaj çështjeje të rëndësishme, e cila, ndër të tjera, ka rënduar marrëdhëniet tona për shumë vite”, shtoi Petroviq.

LEXO EDHE:

Back to top button