Serbisë i pengon flamuri i Kosovës në Kongresin e UEFA-s

Serbisë i pengon flamuri i Kosovës në Kongresin e UEFA-s

Në Kongresin e UEFA-s që po zhvillohet në Beograd të Serbisë, ashtu siç edhe pritej, është bërë temë diskutimi çështja e flamurit të Republikës së Kosovës, raporton KosovaPress.

Të mërkurën, një ditë para nisjes së kongresit, Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës u pa në një video të shpërndarë në rrjetet sociale pranë flamurit të Kosovës i cili ishte i renditur në mesin e shumë flamujve të shteteve të tjera.

Dihet që Kosova është anëtare me të drejta të plota e FIFA-s dhe UEFA-s dhe prania në këtë kongres me simbole shtetërore ishte gjëja më normale e mundshme.

Por, simbolet e Kosovës kanë qenë edhe kësaj radhe të papranueshme për vendin organizator, Serbinë. Përmes një komunikate zyrtare të lëshuar në faqen zyrtare, Federata e Futbollit në Serbi ka bërë të ditur se i ka larguar të gjitha simbolet e Kosovës nga Kongresi i UEFA-s.

“Organizimi i jashtëzakonshëm u la në hije nga një mbikëqyrje e organizatorëve, të cilën një pjesëmarrës i Kongresit u përpoq ta shfrytëzonte për interesa jo-futbollistike. Ne reaguam së bashku, shpejt dhe me vendosmëri dhe me përgjegjësi të plotë informojmë opinionin se në Kongresin e UEFA-s sot në Beograd nuk ka flamuj apo flamuj të të ashtuquajturës “UEFA”. Kosova. I kërkojmë falje secilit prej qytetarëve tanë dhe çdo pjesëtari të popullit tonë, veçanërisht popullit tonë në Kosovë e Metohi, të cilët u mërzitën dhe u lënduan nga lëshimi i organizatorit, i cili u korrigjua menjëherë me reagimin tonë”, thuhet në këtë komunikatë.

Ndërkohë, as nga Federata e Futbollit të Kosovës, e as nga UEFA ende nuk ka ndonjë reagim përkitazi me këtë situatë.

LEXO EDHE:

Back to top button