SHBA-ja dhe OKB-ja kërkojnë qasje në “kampet ruse të filtrimit”

SHBA-ja dhe OKB-ja kërkojnë qasje në “kampet ruse të filtrimit”

Gazetar: Shkëlzen Aqifi

Ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield, tha gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit se Rusia dhe mbështetësit e saj po shkaktojnë “një sërë tmerresh” në procesin që mbikëqyret nga zyra e presidentit rus, Vladimir Putin.

Ajo tha se burimet, përfshirë edhe nga Rusia, sugjerojnë se autoritetet ose separatistët në Ukrainë kanë “marrë në pyetje, kanë ndaluar dhe kanë dëbuar me forcë” 900.000 deri në 1.6 milion ukrainas për në Rusi, ndërsa vetëm gjatë korrikut mbi 1.800 fëmijë janë dërguar nga territori ukrainas për në Rusi.

“Transferimi i detyrueshëm ose dëbimi i personave të mbrojtur nga territori i okupuar në territorin e pushtuesit përbën krim lufte”, tha Linda Thomas Greenfield, Ambasadore amerikane në OKB.

Shefja politike e OKB-së, Rosmary DiCarlo, tha se pretendimet e vazhdueshme për “zhvendosjet me forcë, dëbimet dhe të ashtuquajturit ‘kampe të filtrimit’ të drejtuara nga Federata Ruse” janë “thellësisht shqetësuese”. DiCarlo, po ashtu, kërkoi që OKB-ja të ketë qasje për të parë se si ukrainasit po jetojnë në zonat e kontrolluara nga Rusia.

“Që kur informova këtë Këshill më 24 gusht, për shkak të luftimeve, të paktën 104 civilë, duke përfshirë 10 fëmijë kanë vdekur dhe të paktën 253 civilë, përfshirë 25 fëmijë janë plagosur sipas Zyrës së Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut”, theksoi Rosmarie di Carlo, Shefe politike e OKB-së.

Ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia akuzat i quajti fushatë dezinformuese. Ai tha se ukrainasit që udhëtojnë në Rusi i nënshtrohen “procedurës së regjistrimit dhe jo të filtrimit”.

“Ata po jetojnë lirshëm dhe në mënyrë vullnetare në Rusi. Askush nuk ua ndalon atyre që të lëvizin apo të largohen nga shteti”, u shpreh Vassily Nebenzia, Ambasador rus në OKB.

Ndihmëssekretarja e Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut, Ilze Brands Kheris, i kërkoi Moskës që t’i ofrojë zyrës së saj qasje në të gjitha qendrat e ndalimit dhe tha se çdo adoptim i fëmijëve ukrainas do të ishte në kundërshtim me Konventën e Gjenevës.

Mbi 13 milionë ukrainas janë zhvendosur për shkak të pushtimit të paprovokuar rus, teksa numri i viktimave vlerësohet të jetë dhjetëra mijëra./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button