ShBA-ja po i përgatit masat e sigurisë në rast të ngritjes së aktakuzës ndaj Trumpit

ShBA-ja po i përgatit masat e sigurisë në rast të ngritjes së aktakuzës ndaj Trumpit

Zyrtarët e sundimit të ligjit në Nju Jork janë duke përgatitur masa të sigurisë në rast të ngritjes së një aktakuze ndaj ish-presidentit të ShBA-së, Donald Trump, në javët e ardhshme dhe në rast të paraqitjes së tij në një gjykatë në Manhattan në hetimin për dyshimet për pagimin e disa grave për të mos folur rreth kontakteve seksuale me të, thanë të premten katër zyrtarë të sundimit të ligjit.

Nuk ka pasur ndonjë njoftim publik për ndonjë kornizë kohore për punën sekrete të trupit gjykues, përfshirë ndonjë votim të mundshëm për atë nëse duhet të ngrihet aktakuzë ndaj ish-presidentit, raporton agjencia “Associated Press”.

Zyrtarët e sundimit të ligjit, të cilët nuk ishin të autorizuar për të folur publikisht dhe të cilët biseduan me agjencinë AP në kushte anonimiteti, thanë se autoritetet janë duke u përgatitur vetëm në rast të ngritjes së aktakuzës. Ata i përshkruan bisedat si preliminare dhe se janë duke i shqyrtuar sigurinë, planifikimin dhe aspektin praktik të paraqitjes së mundshme të Trumpit në gjykatë.

Avokati i Trumpit, Joseph Tacopina, i tha agjencisë AP tha nëse ndaj ish-presidentit ngrihet aktakuzë, “do t’i ndjekim procedurat noramle”.

Zyra e prokurorit të qarkut në Manhattan nuk pati ndonjë koment. Një porosi iu la administratorëve të gjykatës.

Trupi gjykues i ka dëgjuar dëshmitë e disa dëshmitarëve, përfshirë ish-avokatin e Trumpit, Michael Cohen, i cili thotë se ai i kishte organizuar pagesat më 2016 për dy gra që ato të mos flisnin publikisht rreth kontakteve të tyre seksuale për të cilat thoshin se i kishin pasur me Trumpin para një dekade.

Trumpi ka mohuar se ka pasur kontakte të tilla dhe ka thënë se nuk ka bërë asgjë të gabuar, duke e përshkruar hetimin si “gjueti e shtrigave” nga një prokuror demokrat që është shumë i vendosur për ta sabotuar fushatën zgjedhore të Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

“Demokratët e kanë hetuar dhe e kanë sulmuar presidentin Trump që nga koha para se të zgjidhej dhe ata kanë dështuar secilën herë”- tha të enjten zëdhënësi i fushatës së Trumpit, Steven Cheung.

Ish-avokati i Trumpit, Cohen, ka thënë se, me udhëzimin e Trumpit, ai i kishte organizuar pagesat me shumë totale prej 280 mijë dollarësh për aktoren e pornografisë, Stormy Daniels, dhe modelen e revistës “Playboy”, Karen McDougal. Sipas tij, këto pagesa ishin bërë për ta blerë heshtjen e tyre për Trumpin, i cili atëherë ishte në kulmin e fushatës së parë zgjedhore./nacionale/

LEXO EDHE:

Back to top button