Shkencëtarët thonë që kanë zbuluar një ngjyrë të re
Shkencëtarët thonë që kanë zbuluar një ngjyrë të re

Në një eksperiment të kryer në SHBA, studiuesit stimuluan qelizat individuale të retinës me impulse lazeri, duke tejkaluar kufijtë natyralë të perceptimit të ngjyrave nga njeriu. Kjo çoi në përjetimin e një ngjyre të re, të quajtur “olo”, që ata e përshkruajnë si jashtëzakonisht e ngopur dhe e pazakontë, ndonëse më e afërta për ta përshkruar është “blu-jeshile”.
Ngjyra olo nuk mund të paraqitet në ekrane apo përmes printimit, sepse nuk mund të prodhohet nga drita natyrale. Kjo për shkak se ajo stimulon vetëm një lloj të qelizave konike të syrit, ato të ndjeshme ndaj gjatësi vale të mesme (M cones), diçka që nuk ndodh kurrë natyrshëm. L, M dhe S janë tre llojet e konëve që reagojnë ndaj dritës së kuqe, jeshile dhe blu. Drita natyrale gjithmonë aktivizon disa prej tyre njëkohësisht, por asnjë burim i zakonshëm nuk mund të stimulojë vetëm konet M.
Përmes një teknike të sofistikuar, studiuesit nga Universiteti i Kalifornisë në Berkeley përdorën një lazer të saktë që shënjestronte vetëm këto qeliza. Eksperimenti rezultoi në një zonë ngjyre në fushën pamore, e krahasueshme me madhësinë e dyfishit të hënës së plotë. Emri “olo” rrjedh nga kodi binar 010, që simbolizon aktivizimin vetëm të konëve M.
Megjithëse disa ekspertë mbeten skeptikë, duke thënë se bëhet fjalë për një version shumë të ngopur të gjelbrës dhe jo për një ngjyrë të re, ekipi i studiuesve beson se kjo teknologji mund të çojë në përparime të mëdha në kuptimin e perceptimit vizual, të verbërisë ndaj ngjyrave, apo të sëmundjeve si retinitis pigmentosa. Por për momentin, olo mbetet një përvojë e rezervuar vetëm për laboratorët. / Daily Mail – Syri.net