Shkon mbi 600 numri i të vdekurve nga tërmeti në Afganistan
Shkon mbi 600 numri i të vdekurve nga tërmeti në Afganistan
Mbi 620 njerëz humbën jetën dhe më shumë se 1.500 të tjerë u lënduan nga një tërmet që goditi Afganistanin lindor. Ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar mes rrënojave. Sipas raportimeve të para, vetëm në një fshat janë gjetur 30 viktima, por shifrat e sakta nuk janë mbledhur ende, pasi bëhet fjalë për një zonë të thellë malore me fshatra të shpërndarë. Tre fshatra u shkatërruan plotësisht në provincën Kunar, ndërsa shumë të tjerë pësuan dëme të konsiderueshme. Tërmeti me magnitudë 6 ra në mesnatë, në një thellësi prej 8 kilometrash, duke shkatërruar shtëpitë prej balte dhe guri. Një tërmet tjetër, me magnitudë 4.5, goditi rajonin rreth 20 minuta më vonë, i ndjekur nga një tjetër lëkundje me magnitudë 5.2, sipas Qendrës gjermane të Kërkimeve për Gjeoshkenca. Qeveria afgane, e udhëhequr nga talibanët, bëri thirrje për ndihmë urgjente nga organizatat ndërkombëtare. Rajoni i goditur nga tërmeti ishte ende duke u përballur me pasojat e përmbytjeve që ndodhën në fundjavë.
“Pothuajse i gjithë fshati është shembur. Tërmeti ra në mesnatë. Fëmijët janë të bllokuar nën rrënoja, të moshuarit janë nën rrënoja, të rinjtë janë nën rrënoja. Kemi nevojë për ndihmë këtu. Kemi nevojë që njerëzit të vijnë dhe të na ndihmojnë të nxjerrim ata që janë bllokuar nën rrënoja. Nuk ka askush që mund të vijë për të gjetur trupat nën rrënoja”, u shpreh një banor. /Alsat.mk








