Shkup, protesta kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike
Alsat
14.08.2020 19:05
Përsëri protestues në rrugë kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Protestat kanë filluar rreth një orë më herët me marshe nëpër rrugët e Shkupit dhe të Tetovës. Protesta u nis nga dy vende të ndryshme, një nga parku i Çairit ndërsa tjetri nga Parku i Gruas para Kuvendit. Më pas të dyja marshet u bashkuan para qendrës tregtare Mavrovasja dhe së bashku u drejtuan drejt Qeverisë. Kërkesat mbeten të njëjta dhe ata nuk do të rreshtin së kërkuari që zëri i tyre të dëgjohet dhe t’i hapet rrugë dialogut me institucionet kompetente për të arritur një zgjidhje të pranueshme. Kërkesa kryesore mbetet ajo e shfuqizimit të rritjes së fundit të energjisë elektrike 7,4 për qind, por krahas kësaj ata kërkojnë edhe uljen e energjisë elektrike me 60 për qind. Po ashtu kërkojnë edhe liberalizimin e tregut dhe t’i hiqet monopoli EVN-së. Protesta është edhe kundër kompanive MEPSO dhe ELEM.