Shpallet fajtor shqiptari në SHBA, rekrutonte luftëtarë për ISIS

Një gjykatë federale në Bruklin e shpalli fajtor Mirsad Kandiçin, 40 vjecar, për pjesëmarrje në grupin Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë (ISIS), rekrutimin e luftëtarëve për ISIS-in dhe sigurimin e armëve, pajisjeve dhe kryerjen e shërbimeve të zbulimit për grupin terrorist.

I lindur në qytetin e Pejës në Kosovë, Mirsad Kandiç kishte emigruar në Shtetet e Bashkuara dhe kishte leje qëndrimi. Ai mund të dënohet me burgim të përjetshëm kur të shpallet vendimi në muajin nëntor të këtij viti.

Sipas dokumenteve dhe provave të paraqitura në gjykatë, Mirsad Kandiç, kishte shumë përgjegjësi brenda organizatës terroriste globale, ISIS, përfshirë rekrutimin e luftëtarëve të huaj, trafikimin e tyre nga perëndimi përmes Turqisë në Siri, dhe sigurimin e armëve, pajisjeve ushtarake, hartave, parave dhe identiteteve të rreme për luftëtarët e ISIS-it.

“Në kryerjen e këtyre përgjegjësive, i pandehuri ka punuar drejtpërdrejt me emirët e ISIS-it dhe komandantët në terren, përfshirë Bajro Ikanoviçin, i cili komandonte një kamp trajnimi të ISIS-it në Siri duke filluar në ose rreth vitit 2014. Bajro Ikanoviç, nga ana tjetër, i raportonte Omar Shishanit, atëherë komandant i lartë ushtarak për ISIS-in dhe një këshilltar i rëndësishëm i Abu Bakr al-Baghdadi, i cili ishte, në atë kohë, udhëheqës i ISIS-it dhe kalif i vetëshpallur i Shtetit Islamik”, thuhet në një njoftim të Departamentit amerikan të Drejtësisë.

Zyrtarët thonë se Mirsad Kandiç është përgjegjës për rekrutimin e mijëra perëndimorëve për të luftuar në Siri dhe Lindjen e Mesme, përfshirë edhe adoleshentin australian Jake Bilardi, një sulmues vetëvrasës që hodhi vetën në erë dhe vrau më shumë se 30 ushtarë irakianë dhe një polic në Ramadi të Irakut më 11 mars të vitit 2015.

Mirsad Kandiç, është arrestuar në gusht të vitit 2017 në Sarajevë, kryeqytetin e Bosnjës, ku sipas agjencive të sigurisë kishte hyre më një pasaportë të falsifikuar ukrainase. /VOA

LEXO EDHE:

Back to top button