“Shpronësimi”, Prokuroria hedhë poshtë padinë e Komunës së Tetovës

“Shpronësimi”, Prokuroria hedhë poshtë padinë e Komunës së Tetovës

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Prokuroria e Ndjekjes së Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka hedhur poshtë padinë e komunës së Tetovës për lëndën që ka të bëj me shpronësimin e tokës, proces ky i filluar në vitin 1988. Refuzimi i padisë është bërë me arsyetimin se kjo Prokurori nuk ka kompetenca për të vepruar, pasi dëmi i shkaktuar nuk është ndaj buxhetit të shtetit, por të komunës.

“Pas njoftimit me lëndën, prokurori përgjegjës i lëndës, dërgoi kërkesë në Komunën e Tetovës, me qëllim verifikimin nëse është shkaktuar dëm mbi buxhetin e Komunës së Tetovës apo buxhetin e shtetit. Mbi bazë të përgjigjes së kthyer nga komuna e Tetovës, u vërtetua se bëhet fjalë për dëm të buxhetit të Komunës, ku Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, nuk ka kompetenca për të vepruar. Prokurori i lëndës hodhi poshtë padinë e ngritur vetëm për pjesën për të cilën ka kompetenca për të vepruar, apo për pjesën e veprës penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe kompetencave”, edhe atë për pikën e pestë të Nenit 353 që ka të bëj me procedurën e tenderimeve publike apo të dëmtimit të mjeteve nga Buxheti i shtetit, nga fondet publike”, theksojnë nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit.

Pas refuzimit të padisë, komuna e Tetovës është ankuar në Prokurorinë e Lartë, nga ku edhe pritet vendimi për delegimin e lëndës në Prokurorinë e Tetovës. Për dallim nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, e cila ka vepruar në kohë me padinë e ngritur nga Komuna e Tetovës, nga Gjykata e Apelit në Gostivar, nuk ka ende një vendim të prerë mbi ankesat e komunës së Tetovës, tash e dhjetë muaj. Nga komuna e Tetovës janë ankuar se vonesat kanë bërë që pala, për një tokë të nacionalizuar në vitin 1988 e cila është vlerësuar vetëm, 50 000 euro, në emër të kamat dënimeve, deri më tani, komunës t’i marrë nga buxheti i saj, 1.1 milion euro. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button