Shqipëria regjistron 775 raste të reja me Covid-19

Në 24 orët e fundit në Shqipëri janë regjistruar 12 të vdekur dhe 775 raste pozitive me COVID-19.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka njoftuar se numri i përgjithshëm i rasteve me koronavirus në vend që nga fillimi i pandemisë është rritur në 93.850, ndërsa numri i të vdekurve në 1.567.

Gjithashtu janë shëruar edhe 972 qytetarë të tjerë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të shëruarve nga koronavirusi në 57.736, ndërkohë raste aktive aktualisht janë 34.547.

Institucionet shëndetësore kanë kryer edhe 2.698 testime të tjera, ndërsa që nga fillimi i pandemisë janë kryer gjithsej 416.976 testime për personat e dyshuar për COVID-19.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi se do të mbërrijnë doza të tjera të vaksinës kundër COVID nga kompania Pfizer.

“Sot nis me 7.020 doza lëvrimi i përjavshëm i vaksinës anti-COVID nga kontrata me Pfizer dhe intensifikimi i planit të vaksinimit, ndërkohë që jemi shumë pranë sigurimit të një sasie dozash të konsiderueshme nga vaksina AstraZeneca”, ka shkruar Rama në rrjetet sociale.

Ndërkohë, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë fjalës në seancën parlamentare tha se do të vijohet me aktivizimin e skenarit të parë të spitaleve rajonale për trajtimin e pacientëve me COVID-19.

LEXO EDHE:

Back to top button