Shumë ligje mbetën të pa miratuara vitin e kaluar në Kuvend

Shumë ligje mbetën të pa miratuara vitin e kaluar në Kuvend

Gazetar: Ardit Ramadani

Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për vitin 2023 e presin një sërë ligjesh të cilat nuk arritën të miratohen gjatë vitit që lamë pas, kryesisht për shkak të mungesës së vazhdueshme të kuorumit. Përderisa në vitin e kaluar shumë seanca u hapën për t’u mbyllur për pak minuta, paralajmërimet janë se këtë vit do të ketë angazhim më të madh me qëllim që të mos përsërite situata e kaluar. Ndërsa Kuvendi paralajmëron efikasitet të shtuar, VMRO DPMNE-ja thotë se nuk do të heqë dorë nga bllokada aktive.

Sipas hulumtueses nga Instituti për Demokraci, Vlora Reçica, kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka kohë që hasë në probleme për shkak të faktorëve politik jo konstruktiv, të cilët shpesh herë edhe kanë bllokuar punën e kuvendit.

“Kjo tregon se nuk ka konsensus për shumë çështje. Duke qenë se jemi në një krizë globale ekonomike dhe energjetike, është shumë e rëndësishme që të kemi një Kuvend funksional që jo vetëm të nxjerrë ligje, por edhe të jetë funksional për të mbikëqyrur ekzekutivin dhe mënyrën se si shpenzohen paratë dhe si merren vendimet në një krizë”, tha Vlora Reçica, Instituti për Demokraci.

Sipas raportit të Institutit për Demokraci në vitin që lamë pas Kuvendi ka treguar nivel të ulët të cilësisë së debatit si dhe është përballur me bllokada. Më aktiv kanë qenë deputetët e opozitës maqedonase. Asnjë deputet shqiptar nuk është në listën e 10 deputetëve më aktiv, përkatësisht sipas monitorimit nga muaji janar deri në qershor ndërsa në 51 për qind të diskutimeve deputetët nuk kanë qenë të aftë të argumentohen. Sipas këtij Instituti, këto të dhëna shpërfaqin nevojën e rritjes së cilësisë të debatit dhe nivelit të argumentimit në kuvend. Për këtë, perceptimi i qytetarëve për punën e kuvendit është në shkallë shumë të ulët, edhe atë me notë prej 2,5 nga gjithsej 5 si dhe pjesa më e madhe e qytetarëve nuk janë të njohur me atë që është punuar në kuvend gjatë vitit të kaluar. Ndër sfidat kryesore të Kuvendit për këtë vit do të jetë kthimi i besimit të qytetarëve në të, që aktualisht sipas raportit të IRI-t amerikan, i besojnë vetëm 4 për qind e qytetarëve. Deputetët gjithashtu i pret votimi dhe ndryshimi i një sërë ligjesh në drejtim të harmonizimit të ligjeve me ato të vendeve të BE-së, pasi Maqedonia e Veriut hapi negociatat për anëtarësim si dhe ndryshimet kushtetuese./Alsat.mk

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button