Si zgjidhet një papë i ri?

Si zgjidhet një papë i ri?

Papa Françesku ka vdekur në moshën 88-vjeçare, pas 12 vitesh në krye të Kishës Katolike Romake. Vdekja e tij vuri në lëvizje procesin shekullor të zgjedhjes së një Pape të ri.

Papa është kreu i Kishës Katolike. Katolikët romakë besojnë se ai përfaqëson një lidhje të drejtpërdrejtë me Jezu Krishtin. Ai konsiderohet si pasardhësi i gjallë i Shën Pjetrit, i cili ishte i pari ndër dishepujt e Krishtit, apostujt. Për shkak të kësaj, ai ka pushtet të plotë dhe të pakufizuar mbi të gjithë Kishën Katolike dhe përfaqëson një burim të rëndësishëm autoriteti për rreth 1.4 miliardë katolikë në botë.

Ndërsa shumë katolikë shpesh i drejtohen Biblës për udhëzim shpirtëror, ata gjithashtu mund të mbështeten në mësimet e Papës, të cilat formësojnë besimet dhe praktikat në Kishë. Rreth gjysma e të gjithë të krishterëve në botë janë katolikë romakë. Konfesionet e tjera të krishtera, duke përfshirë protestantët dhe të krishterët ortodoksë, nuk e njohin autoritetin e Papës.

Papa jeton në qytetin e Vatikanit, shteti më i vogël i pavarur në botë, i cili është i rrethuar nga kryeqyteti i Italisë, Roma. Papa nuk merr rrogë, por të gjitha shpenzimet e udhëtimit dhe të jetesës mbulohen nga buxheti i Vatikanit.

Çfarë ndodh kur Papa vdes? Papa Françesku e ka ndryshuar edhe këtë.
Funerali i një pape ka qenë tradicionalisht një ceremoni luksoze, por Papa Françesku miratoi së fundmi planet për të përmirësuar të gjithë procesin. Papët e mëparshëm u varrosën në tre arkivole, të bëra nga selvi, plumbi dhe lisi. Papa Françesku zgjodhi një arkivol të thjeshtë prej druri të mbuluar me zink.

Ai shfuqizoi gjithashtu traditën e ekspozimit të trupit të Papës në një platformë të ngritur, të njohur si katafalkë, në Bazilikën e Shën Pjetrit. Në vend të kësaj, vajtuesit do të jenë në gjendje të bëjnë nderimet e tyre ndërsa trupi mbetet në arkivol me kapak të hequr.

Françesku do të jetë gjithashtu Papa i parë në më shumë se një shekull që do të varroset jashtë Vatikanit. Ai do të varroset në Bazilikën e Santa Maria Maggiore (Bazilika e Shën Marisë Major), një nga katër bazilikat kryesore papale në Romë. Bazilika është një kishë të cilës Vatikani i ka dhënë rëndësi dhe privilegje të veçanta. Bazilikat kryesore papale kanë një lidhje të veçantë me Papën.

Kush e zgjedh Papën e re?

Papa i ri zgjidhet nga zyrtarët më të lartë të Kishës Katolike, i njohur si Kolegji i Kardinalëve. Ata janë të gjithë burra, të emëruar drejtpërdrejt nga Papa dhe zakonisht shugurohen si peshkopë. Aktualisht, Kisha Katolike ka 252 kardinalë, 138 prej të cilëve kanë të drejtën e votës në zgjedhjen e një Pape të ri. Pjesa tjetër janë mbi 80 vjeç dhe për këtë arsye nuk mund të marrin pjesë në votime, por mund të marrin pjesë në diskutimet se kush duhet të zgjidhet.

Si zgjidhet Papa dhe çfarë është një konklavë? Kur një papë vdes (ose jep dorëheqjen, siç bëri Benedikti XVI në 2013), kardinalët mblidhen për një takim në Vatikan, pasuar nga një konklavë, siç quhen vetë zgjedhjet. Në periudhën ndërmjet vdekjes së Papës dhe zgjedhjes së pasuesit të tij, Kisha drejtohet nga Kolegji i Kardinalëve. Zgjedhjet zhvillohen në fshehtësi të plotë brenda Kapelës Sistine, pikturuar nga Michelangelo.

Kardinalët individualë votojnë për kandidatin e tyre derisa dikush të marrë shumicën e kërkuar, gjë që mund të zgjasë disa ditë. Në shekujt e kaluar, votimi mund të zgjaste javë apo edhe muaj, dhe disa kardinalë vdiqën gjatë konklavës. Shenja e vetme e progresit në zgjedhje vjen në formën e tymit që del nga oxhaku dy herë në ditë pas djegies së fletëve të votimit. Tymi i zi do të thotë se përzgjedhja dështoi. Tymi i bardhë tregon se është zgjedhur një papë i ri.

Si shpallet Papa i ri?
Pasi shfaqet tymi i bardhë, Papa i ri zakonisht del në ballkonin me pamje nga sheshin e Shën Pjetrit brenda një ore. Kardinali më i vjetër pjesëmarrës në konklavë më pas shpall vendimin me fjalët Habemus Papam, që në latinisht do të thotë – kemi një papë.

Më pas ai shpall emrin e papës së re, pra emrin që ka zgjedhur për pontifikatin e tij, që mund të mos jetë emri i tij origjinal. Për shembull, Papa Françesku lindi Jorge Mario Bergoglio, por mori një emër të ri për papatin e tij për nder të Shën Françeskut të Asizit.

Kush mund të bëhet papë?
Teorikisht, çdo mashkull katolik romak i pagëzuar mund të zgjidhet papë. Sidoqoftë, në praktikë, kardinalët pothuajse gjithmonë zgjedhin një të tyren.

Kur Papa Françesku, i lindur në Argjentinë, u zgjodh në konklavën e mëparshme në 2013, ai u bë kreu i parë i Kishës Katolike nga Amerika e Jugut, një rajon që përbën afërsisht 28% të katolikëve në botë. Megjithatë, historia tregon se kardinalët kanë shumë më tepër gjasa të zgjedhin një papë nga Evropa, veçanërisht nga Italia. Nga 266 papët e zgjedhur deri më tani, 217 janë nga Italia.

LEXO EDHE:

Back to top button