Sindikata e Qendrës Shtetërore të Provimeve vazhdon grevën

Sindikata e Qendrës Shtetërore të Provimeve vazhdon grevën

Gazetare: Melihate Rustemi

Maturantët tashmë po kryejnë përgatitjet e fundit për provimet e maturës shtetërore pavarësisht se të njëjtat kanë mbetur pezull. Ende nuk dihet nëse do të realizohen ose jo në afatin e duhur. Sindikata e Qendrës Shtetërore të Provimeve tha se greva në këtë institucion do të vazhdojë, për shkak se në mbledhjen e djeshme në Qeveri nuk ka pasur marrëveshje mes Sindikatës së Qendrës dhe zëvendëskryeministrit për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyçi. Nga Sindikata kërkojnë rritje të pagave. Në takimin në Qeveri u është ofruar pagesë e K-15 dhe rritje lineare prej 2 mijë denarë për gjysmën e të punësuarve. Siç thanë nga Sindikata, ajo që u është ofruar nga Qeveri u takon me ligj dhe që deri më tani në mënyrë të kundërligjshme u është penguar ta marrin.

“U gjetën mënyra, u bën rishikime për rritjet e tyre të pagave për 70-80 % ndërkohë që nuk mund të gjejnë zgjidhje për 30 njerëz të cilët punojnë shumë dhe me shumë përgjegjësi në të njëjtën kohë. Lufta, si më tutje dhe si do të zhvillohen ngjarjet në vijim, përgjigjen nuk do ta merrni nga ne. Ne do të ndalojmë me dhënien e deklaratave. Të gjitha vendimet tjera do ti marrin ministritë që janë përgjegjëse”, deklaroi Emilija Boshkovska, kryetare e SQSHP-së.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri tha se do të analizojnë vendimin e Sindikatës së Qendrës Shtetërore të Provimeve por duke shtuar se provimet do të realizohen në afatin e caktuar. Gjithashtu, Shaqiri tashmë ka deklaruar për realizimin e procesit të maturës, nëse është e nevojshme, do të përfshihen edhe punonjës nga Ministria e Arsimit. Provimet e maturës shtetërore janë parashikuar të zhvillohen në fund të muajit. Më 27 maj do të mbahet provimi i gjuhës amtare ndërkohë më 10 qershor në lëndët matematikë, gjuhë angleze, frënge, gjermane, ruse, filozofi dhe estetikë, varësisht përcaktimit të nxënësve. Ndryshe nga provimet eksterne, ato interne do të zhvillohen pas 13 qershorit. Greva e Sindikatës së Qendrës Shtetërore të Provimeve prek mbi 15,600 maturantë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button