Skandal, Greqia bllokon në kufi gazetarët shqiptarë
Skandal, Greqia bllokon në kufi gazetarët shqiptarë
Takimi i së dielës së kryeministrit Edi Rama me shqiptaret në Selanik, duket se ka rikthyer mëritë e vjetra mes Athinës dhe Tiranës.
Grupet e xhirimit dhe gazetarët e Televizionit Kombëtar Klan dhe A2CNN, që do të ndjekin këtë takim të Ramës me shqiptarët në Selanik u mbajtën peng prej më shumë se tre orë nga pala kufitare greke në doganën e Kapshticës.
Gazetarja e Televizionit Klan, Elja Zotka tregon pretendimet që dhanë autoritetet greke për këtë akt të paprecedent. Teksa nuk u lejuan as qe filmimet.
“Sipas tyre ne duhet të ishim pajisur më parë me një autorizim nga Ministria jonë e Jashtme e cila të ishte pranuar nga ministria e Punëve të Jashtme e Greqisë dhe më pas të kalonim lirisht. Por kjo është e paprecedentë pasi ne kemi udhëtuar shpesh drejt territorit grek, kemi ardhur këtu për arsye pune dhe asnjëherë nuk na është kërkuar një gjë e tillë”, tha gazetarja.
Ndërkohë që për këtë ngjarje që rikthen pas kohën e problemeve dhe të peripecive që kanë hasur shqiptarët dikur në kalimin e kufirit me Greqinë dekada më parë ka reaguar edhe gazetari Blendi Fevziu. Ai këtë incident e quan skandaloz.
“Është e papranueshme, e patolerueshme, skandaloze dhe absolutisht primitive që një shtet anëtar i BE-së të bllokojë në kufi gazetarët që janë duke kryer detyrën e tyre. Është e patolerueshme që një vend i BE-së shkel të drejtën për informim, shkel të drejtën e njeriut, shkel të drejtën elementare të lëvizjes së çdo qytetari shqiptar. Ngjarje të tilla mund të kesh, vonesa në vende diktatoriale, por që një vend i BE-së t’ju kërkojë gazetarëve shkresë nga Ministria e Jashtme, apo letër shoqërimi nga Ministria e Jashtme është të shkelësh çdo parim të lirisë së medias dhe t’i kërkosh gazetarëve të vihen nën tutelën politike. Ndaj edhe njëherë insistoj që ajo që po ndodh në kufirin grek është as më shumë e as më pak një gjest primitiv i një shteti në të cilin inati dhe mëria dominon mbi të drejtat dhe parimet europiane”, tha Fevziu.
Incidenti është dënuar me forcë edhe nga shoqatat e gazetarëve, Save Journalist Albania dhe Asociacioni i Gazetarëve, të cilët kërkuan sqarimin nga Athina zyrtare të kësaj ngjarjeje dhe që ajo të mos përsëritet në të ardhmen.
Vëmendje kësaj ngjarjeje i kushtoi edhe media e njohur Euractiv, duke e lidhur edhe me faktin se mes Tiranës dhe Athinës tensionet vijojnë prej muajsh që prej arrestimit të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri për korrupsion e blerje votash në zgjedhjet lokale të 2023./TvKlan/