Sondazhet, Petrovska: Të dhënat alarmante, njëkohësisht dhe sfiduese

Sondazhet, Petrovska: Të dhënat alarmante, njëkohësisht dhe sfiduese

Gazetare: Fatlume Dervishi

Rezultatet dëshpëruese të besimit të ulët të qytetarëve mbi institucionet dhe politikanët kanë shqetësuar pjesërisht pushtetin. Ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, thotë se rezultatet alarmante janë sfiduese.
“Rezultatet e asaj ankete duhet të paraqesin sfidë edhe për personat që kap anketa megjithatë edhe për institucionet. Rënia e besimit ndaj një partie politike është problem i partisë politike por rënia e besimit ose besimi i ulët në institucione të caktuara është diçka shumë alarmante për të gjithë ne. Prandaj thash se paraqesin sfidë”, u shpreh Sllavjanka Petrovska, ministre e Mbrojtjes.

Por, jo të gjithë në ekzekutiv janë të një mendimi. Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski, është i bindur se qeveria është në rrugën e duhur.

“Jam i bindur se të gjitha këto politika qytetarët i njohin dhe do t’i njohin edhe më tej sepse bëhet fjalë për politika jashtëzakonisht të rëndësishme në një kohë jashtëzakonisht të vështirë dhe që udhëhiqen në mënyrë jashtëzakonisht transparente”, tha Bllagoj Boçvarski, ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Anketa e fundit e IRI-t tregoi se vetëm 4 për qind e qytetarëve kanë besim te Gjyqësori, kurse vetëm 3 për qind i besojnë Prokurorisë Publike. I ulët është besimi në institucionet arsimore, me 11 për qind, ndërsa 10 për qind e qytetarëve kanë besim në institucionet shëndetësore shtetërore dhe policinë.

58 për qind e qytetarëve mendojnë se shteti po shkon në drejtim të gabuar.

Vetëm 4 për qind e qytetarëve u besojnë partive politike dhe Kuvendit, 7 për qind i besojnë qeverisë kurse 8 për qind opozitës. Anketa e IRI-t vuri në dukje se besimi për ish kryeministri i arratisur në Hungari, Nikolla Gruevski, është rikthyer. Nga besueshmëria prej 3 për qind që e kishte në anketën e një viti më herët, tani Gruevski gëzon mbështetjen e 7 për qind të të anketuarve, duke lënë pas të gjithë liderët e partive politike në vend. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button