Sulmi në depon e naftës/ Kremlini paralajmëron se negociatat me Ukrainën mund të vihen në pikëpyetje

Sulmi në depon e naftës/ Kremlini paralajmëron se negociatat me Ukrainën mund të vihen në pikëpyetje

Gazetar: Adrian Kerimi

Një sulm i forcave ukrainase në një depo të naftës në Rusi ka nxitur reagimin e Kremlinit nga ku kanë potencuar se negociatat për paqe mund të vihen në pikëpyetje.

Mëngjesin e sotëm, forcat ajrore ukrainase dyshohet të kenë sulmuar depon e qytetit kufitar Belgorod edhe pse ministri i Jashtëm Ukrainas, Dimitro Kuleba deklaroi se nuk posedon informacion për një sulm të tillë, duke lënë të kuptohet se Ukraina nuk qëndron prapa sulmit në fjalë.

Nga ana tjetër, ministri i jashtëm rus, Sergej Lavrov gjatë vizitës në Indi ka deklaruar se në Ukrainë nuk ka luftë por një operacion special i cili ka për qëllim demilitarizimin e Kievit i cili sipas tij përbën rrezik për Moskën. Lavrov ka deklaruar se ka përparim nga bisedimet mes dy vendeve, derisa raundi i bisedimeve të reja sot është zhvilluar online.

“Është sulmuar infrastruktura ushtarake dhe qëllimi është rrëzimi i regjimit të Kievit nga kapacitetet e tij për të përbërë rrezik mbi Rusinë. Ky kapacitet i tyre është ndërtuar dhe plotësuar ndër vite nga SHBA-të dhe NATO të cilët kishin për qëllim fqinjët tanë t’i kthejnë në vend frontal kundër Rusisë”, tha Sergej Lavrov, Ministër i Jashtëm i Rusisë.

Shtabi i Armatës Ukrainase ka njoftuar se forcat ruse kanë filluar tërheqjen nga Kievi drejt kufirit me Bjellorusinë, ndërsa zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes në Ukrainë ka deklaruar se ushtria ruse ka konfiskuar në korridorin humanitarë të Mariupolit ushqimin e destinuar për civilët të cilët ishin duke u evakuuar.

Qyteti i Chernihivit është marrë nën kontrollin e plotë të ushtrisë ukrainase. Emergjenca civile e Ukrainës ka njoftuar se në qytetin Irpin është vështirësuar evakuimi i civilëve për shkak të shkatërrimit të urave, gjë që ka pamundësuar largimin e banorëve lokal. Inteligjenca ushtarake e Ukrainës ka vlerësuar se ushtria ruse është duke përgatitur sulm të rëndë ajror dhe tokësorë në krahinën e Donbasit, ndërsa presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky sot ka njoftuar shkarkimin e dy eprorëve të sigurisë shtetërore të dyshuar për tradhti. Në javën e pestë të luftimeve, numri i refugjatëve ukrainas ka kaluar shifrën 4 milion./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button